13:48 / E Premte, 11 Shtator 2020 / indeksADMonline

Suspendohet nga puna mësimdhënësi mitrovicas, therri 11 herë me thikë gruan e tij

Pas marrjes së njoftimit zyrtar nga Policia e Kosovës, lidhur me rastin e sulmit të mësimdhënësit (F.R.) ndaj bashkëshortes së tij (Q.R.) njëkohësisht të dy mësimdhënës në Komunën e Mitrovicës, kryetari Agim Bahtiri, në koordinim me drejtorin e DKA-së, Egzon Jashari, kanë marrë vendimin për suspendim nga marrëdhënia e punës të të dyshuarit (F.R.) për aktin e kryer.

Rasti i ndodhur ka qenë mjaft shqetësues për qytetarët e Mitrovicës, me theks të veçantë edhe për kryetarin Bahtiri, i cili e ka vlerësuar si një akt shumë të ulët dhe jo njerëzor.

“Çdo akt i dhunshëm duhet të trajtohet urgjentisht nga organet e rendit dhe ligjit, si edhe personave të tillë t’u shqiptohet dënimi i merituar. Ne nuk do të lejojmë asnjëherë që mësimdhënësit, të cilët shprehin dhunë të jenë pjesë e institucioneve arsimore në komunën tonë”, shtoi kryetari Bahtiri.