23:17 / E Enjte, 08 Dhjetor 2022 / MSH

Sveçla jep detaje mbi zhvillimet në Veri: Policia është vendosur në disa lokacione

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur mbi zhvillimet e fundit në Veri.

Ai ka thënë për RTK se është shtuar numri i policëve në Veri, për të rritur sigurinë e banorëve atje.

“Është e vërtetë që sipas planeve operacionale të Policisë së Kosovës, është rritë numri i policëve të rendit në disa lokacione të Mitrovicës Veriore, dhe kjo ka ndodhë për shkak të disa incidenteve netëve të kaluara” tha Sveçla.

Ai shtoi se rendi dhe qetësia në Veri është prishur për shkak të disa sulmeve të bëra nga persona paidentifikuar, njofton Indeksonline.

“Për shkak të sulmeve të disa personave të paidentifikuar është prishë rendi dhe qetësia e disa banorëve që janë banorë të atyre zonave. Me qëllim që rendi dhe qetësia të kthehet në atë zonë, është marrë vendim të shtohet prezenca e policisë” tha ministri.

I pari i Punëve të Brendshme deklaroi se policia ka bërë vlerësimet e duhura.

Policia bën vlerësime të sigurisë dhe në bazë të këtyre vlesimeve e ka parë të arsyeshme të shtohet numri i policëve të rendit, të cilët krejt çka bëjnë është rritja e sigurisë së banorëve të këtyre lagjeve.”

Ai tha se këto “akte kriminale” në Veri janë dirigjuar dhe janë bërë me mbështetje të Beogradit.

Sveçla njoftoi se policia janë vendosur në lokacione të ndryshme.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me agjencitë e tjera dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale janë duke vazhduar hetimet e këtyre sulmeve që kanë ndodhë, qoftë ndaj zyrtarëve policorë, qoftë ndaj banorëve të këtyre lagjeve.”

Sveçla tha se për mundësinë e shtyerjes së zgjedhjeve duhet pritur rekomandimet e organeve të sigurisë e pastaj për një gjë të tillë të vendosë presidentja Vjosa Osmani./Indeksonline/