23:55 / E Shtunë, 19 Shtator 2020

Sveçla: Kurti kërkonte planifikim të duhur për ndërhyrjen në Karaçevë

Kanë vazhduar përplasjet politike për ndërhyrjen e policisë në Karaçevë të Kamenicës kundër veprimtarive ilegale të kazinove. Xhelal Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje, që një kohë shërbeu si ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti, ka thënë se kjo ndërhyrje ishte menduar edhe në kohën e ish-qeverisë, kur VV-ja udhëhiqte në koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Të premten në Karaçevë u arrestuan 35 persona, në mesin e të cilëve edhe 12 policë. Ata dyshohen për veprën e organizimit të skemave piramidale.

Për aksionin e ndërmarrë të premten, ministri i Brendshëm Agim Veliu, që u kthye në post pasi LDK-ja mori udhëheqjen e qeverisë, ka thënë se në kohën kur kryeministër ishte Albin Kurti, ai s’i kishte dhënë leje për ndërhyrje në Karaçevë. Në anën tjetër, Kurti të shtunën ka thënë se Veliu s’kishte pasur plan të shkruar se si duhej të realizohej aksioni, por vetëm fjalë goje.

“Qeveria Kurti nga fillimi është zotuar e angazhuar për luftë ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Rasti i Karaçevës ka qenë në vëmendjen e Kryeministrit Kurti dhe gjithë Qeverisë, përfshirë ish ministrin. Qasja që ka mbizotëruar ka qenë se planifikimi dhe parapërgatitja e duhur është parakusht për sukses. Posaçërisht për çështje komplekse si rasti i Karaçevës. Kjo ka qenë edhe kërkesa e qartë dhe pa ekuivoke e Kryeministrit Kurti drejtuar ish Ministrit Veliu por edhe ndaj meje pas shkarkimit të tij”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook, duke shtuar se për këtë kishte pasur takime edhe me kryeprokurorë të Prokurorisë Themelore të Gjilanit, ushtruesin e detyrës së kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës, drejtorin e Policisë dhe komandantin e KFOR-it.

“Këto përgatitje që u përmendën më lart kanë vijuar paralelisht me menaxhimin e situatës së rënduar për menaxhimin e gjendjes së emergjencës shëndetësore për shkak të pandemisë. Menaxhim për të cilin u jam falënderues pafundësisht të gjithë atyre burra e grave nga radhët e policisë që bënë gjithçka mundën që vendi ynë mos të gjunjëzohej siç u ndodhi dhjetëra vendeve në botë”, ka thënë tutje ai duke deklaruar po ashtu se “rrëzimi në Kuvend dhe më pas vendimi arbitrar i Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese ndali vijimin e qeverisjes sonë”.

Sveçla ka përgëzuar policinë për këtë veprim, por ka deklaruar se “kjo punë s’mbyllet për një ditë”.