17:28 / E Mërkurë, 07 Dhjetor 2022 / AR

Sveçla: Një pjesë e kriminelëve në veri janë ish-pjesëtarë të PK-së

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se situata sot është e qetë në dy komunat në veri.

Ai tha se pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme me kërkesë të komisionit zgjedhor qendror, Policia e Kosovës ka asistuar në zyrat komisioneve komunale zgjedhore.

Para gazetarëve, Sveçla deklaroi se bandat kriminale kanë penguar fillimin e një prej proceseve më të rëndësishme demokratike përmes metodave terroriste.

“Këto grupe të mbështetura nga Serbia dëshmuan se janë kundër të drejtës fundamentale për qytetarët e këtyre komunave që të zgjedhin. Janë përdorur bomba, armë zjarri e granata dore. Policia e ka cilësuar si sulm ndaj rendit kushtetues, shtytje në vepra terroriste, kryerja e veprave terroriste, zjarr-vënie dhe mbajtje e armëve pa autorizim”, u shpreh ai.

Për më tepër, ai nxori të dhëna nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Policia e Kosovës, duke thënë se një pjesë e kriminelëve në veri vijnë nga radhët e ish-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

“Policia është duke u angazhuar që krejt kriminelët e përfshirë në sulmin terrorist të sillen para drejtësisë. Tashmë kemi të dhënat e para të mbledhura nga terreni, qoftë nga Policia apo nga inteligjenca, e cila na thotë se një pjesë e këtyre kriminelëve vijnë nga radhët e ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës”, theksoi i pari i MPB-së.