13:29 / E Premte, 09 Dhjetor 2022 / shkelqim osmanaj

Sveçla për policin e plagosur në veri: Ky është sulmi i 12-të në 8 muajt e fundit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,  ka folur për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Ai  e ka përmendur edhe rastin e plagosjes së një pjesëtari të policisë , duke thënë se ky është sulmi i 12-të në tetë muajtë e fundit.

Svecla e ka përmendur edhe sulmin e sotëm ndaj gazetarëve, derisa shtoi se ata janë mirë dhe janë të sigurtë.

“Policia e Kosovës mbrëmë në Zveçan është sulmuar dhe qëlluar me armë nga grupe kriminale. Ky është sulmi i 12-të në 8 muaj. Një oficer ka mbetur i plagosur dhe aktualisht po merr kujdes mjekësor. Sot persona të maskuar në veri kanë sulmuar edhe gazetarët vendas. Për fat të mirë, ata tani janë të sigurt”, ka thënë ai.

Ai theksoi se Policia e Kosovës përkundër këtyre sulmeve, do të vazhdojë të ofrojë siguri dhe sundim të ligjit në tërë territorin e Kosovës, përfshi edhe veriun.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë të sigurojë siguri për të gjithë qytetarët dhe sundim të ligjit në të gjithë territorin e Republikës sonë. Qytetarët nuk po i bashkohen dhe as nuk i përkrahin grupet kriminale në veri të Kosovës. Ata janë të vendosur për ligjshmëri, po ashtu edhe ne”, ka vijuar Sveçla.

Pjesëtari i policisë i cili është plagosur mbrëmë në veri, këtë të premte është dërguar për trajtim në QKUK. Ndërkaq bëhet e ditur se ai është plagosur në pjesën e kraharorit dhe është jashtë rrezikut për jetë.