21:23 / E Premte, 10 Prill 2020 / indeksADMonline

Syla i AAK-së: 100 ditët e Haradinajt ende mbahen mend, po ti Albin për çka do të kujtohesh?

Deputeti i AAK-së, Gazmend Syla, ka bërë një krahasim mes kohës së kryeministrit Albin Kurti në pushtet dhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në herën e parë, kur Kosova ende nuk kishte shpallur pavarësinë.

Syla ka theksuar se Haradinaj, përkundër se me pak kompetenca dhe nën presionin e UNMIK-ut, kishte marrë vendime të guximshme .

“Në vitet para pavarësisë, që nuk janë shumë larg për t’i rikujtuar, qeveria vepronte me shumë pak kompetenca dhe vazhdimisht nën presionin e UNMIK-ut, shefi i së cilës kishte kompetenca pothuajse mbretërore. Në atë katrahurë pushteti, Ramush Haradinaj kishte kohë vetëm 100 ditë, para se ta dërgonin në Hagë për krime të imagjinuara e gatuara. Ato 100 ditë, mbahen mend për vendime të guximshme siç janë: inicimi i formimit për herë të parë të dy ministrive të rëndësishme, ministrisë së brendshme dhe asaj të drejtësisë (rendit dhe ligjit), inicimi në Kuvend i Ligjit për Familjet e Dëshmorëve dhe Invalidët e Luftës, si dhe plotësimi i një numri shumë të madh të të ashtuquajturave “standarde para statusit”, që rezultuan me pakon e Ahtisarit si bazë ligjore për pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar Syla.

Syla ka thënë se Kurti, përkundër se në shtet të pavarur, nuk ka arritur që të marr ndonjë vendim për të cilin do të mbahet mend. Prandaj, e ka pyetur publikisht Kurtin se për çfarë do të mbahet mend 50-ditëshi i tij.

“E tani, në shtet të pavarur, me të gjitha kompetencat, vjen burri i botës në pushtet me premtime e mashtrime, e nuk është i zoti lëre që ta mbaj pushtetin, po as të dal me ndonjë vendim për të cilin do mbahet mend, përpos shkarkimeve për emërime militantësh dhe heqjen e tarifës ndaj Serbisë pa asnjë kundërvlerë e pa nder. Për çka tjetër do mbahet mend 50 ditëshi yt Albin?”, ka theksuar Syla.