14:17 / E Premte, 24 Maj 2024 / S Z

Tahiri: 30 maji është dita e fundit për shpërndarjen e Kuvendit

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka përsëritur kërkesën për shpërndarje të Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje. Ai ka thënë se 30 maji do të jetë dita e fundit për mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit.

Tahiri në konferencë për media pasi dështoi seanca për tre vjet qeverisje të kryeministrit Kurti ka thënë se komunikimi me partitë politikë është intensiv.

“Puna e Kuvendit ka degraduar deri në atë pikë saqë me zor mund ta mbajmë në jetë edhe një tetë muaj deri te zgjedhjet e rregullta. Mirë është të reflektojmë, t’i hapim rrugë zgjedhjeve të reja në qershor apo korrik. Tash dy javë jemi në komunikim më intensiv, dhe do vazhdojmë në vijim deri te momenti, siç e kemi thënë këtë të enjte do të jetë dita e fundit për shpërndarjen e Kuvendit, apo 30 maji. Nëse deri më 30 maj nuk arrijmë koordinim për shpërndarjen e Kuvendit e humbim mundësinë që qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit më 30 qershor apo 7 korrik. Është dita e fundit dhe nuk do t’i ndalim përpjekjet”, ka thënë ai.