Tahiri: Ardian Gjini është kandidati më i zoti për kryeministër, do të doja që t’i dilte përballë Albin Kurti
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se kandidati i kësaj partie për kryeministër, Ardian Gjini, është kandidati më i zoti për këtë post.
Ai ka deklaruar të premten në “Rubikon” se Gjini është një prej figurave më të konsoliduara në politikën kosovare, duke shtuar se ka një bagazh të madh politik.
“Kemi ardhur në dakordim që personi më i duhur prej nesh që do të udhëheqte partinë dhe do të ishte kandidat për kryeministër do të ishte Ardian Gjini…Ardian Gjini i vyen Kosovës sepse e ka urtësinë, guximin dhe ka qenë krah i djathtë i Ramush Haradinajt. Ai është kandidati më i zoti për kryeministër. Unë mendoj që në rrethanat aktuale, Ardian Gjini është kandidati më i zoti për kryeministër dhe kisha pasur shumë dëshirë me e pa ballë për ballë me kryeministrin aktual, Albin Kurti”, ka thënë Tahiri, kandidat për deputet nga radhët e AAK-së.
Sipas Tahirit, Gjini ka lënë gjurmë të rëndësishme politike ndër vite në Kosovë.
“Gjini është një prej figurave politike në vend që ciklin politik e ka të përmbyllur, veç kryeministër i Kosovës ende nuk është. Është themelues i partisë NDSH, ka qenë pjesëtar i UÇK-së, ka qenë nënkryetar i Komunës, ka qenë pjesë e Qeverisë së Bajram Rexhepit, si këshilltar, ka qenë këshilltari i parë i Ramush Haradinajt kur ka qenë kryeministër, ka qenë ministër dhe pjesë e gjithë procesit të shtetndërtimit në procesin e Ahtisaarit. Ka qenë deputet shumë aktiv. Është kthyer në Gjakovë dhe atje ka arritur ta transformojë një qytet totalisht”, ka thënë ai tutje.

