13:13 / E Martë, 19 Qershor 2018 / indeksADMonline

Tahiri: Askush s’do mund ta shfrytëzojë pasurinë e fituar përmes veprave penale

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka dhënë një intervistë për Indeksonline ku ka treguar më shumë për Lakon e Ligjeve kundër korrupsionit, projektligjet, zbatimin e tyre në praktikë dhe kompetencat për Konfiskimin e Pasurisë.

z. Tahiri, në projektligjet e Ministrisë së Drejtësisë për këtë vit është edhe Pakoja e Ligjeve Kundër Korrupsionit. Çfarë përmban kjo pako?

Sundimi i Ligjit si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kanë qenë dhe mbeten prioritete themelore të miat si Ministër i Drejtësisë. Gjatë këtyre dhjetë muajve në krye të kësaj ministrie, jemi përpjekur që këto prioritete t’i përkthejmë në politika legjislative që në njërën anë sjellin zgjidhje praktike për problemet e hasura ndër vite, ndërsa në anën tjetër avancojnë standardet dhe fuqizojnë përkushtimin tonë politik e institucional për luftë të pa kompromis kundër këtyre dukurive. Në këtë drejtim, krahas ndryshimeve të propozuara në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, Pakos së Ligjeve të Gjyqësorit dhe Ligjeve në kuadër të Agjendës së Reformave Evropiane, kemi hartuar edhe Pakon e Ligjeve Kundër Korrupsionit, të cilat paraqesin masa parandaluese por edhe ndëshkuese ndaj keqpërdorimit të parasë publike. Kjo pako përbëhet nga Projektligji për Agjencinë Kundër Korrupsionit, Projektligji për Deklarimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik, Projektligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme dhe Projektligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Është bërë një punë e madhe përgatitore në hartimin e këtyre projektligjeve, përfshirë edhe konsultimet me partnerët tanë në fushën e drejtësisë si dhe shoqërinë civile të cilët kanë dhënë një kontribut të madh në konsolidimin e këtyre politikave publike. Si e tillë, besoj se kur kjo pako legjislative të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, do përcjellë konsensusin e përgjithshëm që reflekton fuqizimin e masave kundër korrupsionit, të cilat do rrisin efektet e parandalimit të keqpërdorimit të parasë së taksapaguesve tanë. Me këtë pako ligjesh, po ndërtojmë instrumentet e duhura për efikasitet më të madh kundër korrupsionit, keqpërdorimit të parasë publike apo përfitimit nga veprimtaria kriminale. Këto projektligje, do të fuqizojnë sistemin e drejtësisë si dhe do t’i japin fund praktikës së mosndëshkimit të keqpërdoruesve dhe atyre që përfitojnë në mënyrë të paligjshme.

Çfarë ndryshimesh do sjellin këto Projektligje?

Projektligji për Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe ai për Deklarimin e Pasurisë së Zyrtarëve të lartë publik, do prezantojnë dy gjëra themelore: do sqarojnë rolin, mandatin dhe kompetencat e Agjencisë Kundër Korrupsionit, si dhe do të evitojnë problemet me procesin e deklarimit të pasurisë që janë hasur ndër vite, duke sjellë një sistem të avancuar, elektronik, dhe të standardizuar të deklarimit të pasurisë. Këto dy projektligje do përfundohen gjatë muajve në vijim dhe do jenë gati për shqyrtim në fillim të muajit Tetor të këtij viti. Ndërsa dy projektligjet tjera të kësaj pakoje, njëherit jashtëzakonisht të rëndësishme në agjendën tonë integruese, të cilat përveç plotësimit të nevojave tona institucionale dhe shoqërore, do kenë ndikim të madh edhe në procesin e liberalizimit të vizave, projektligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme dhe ai për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, tashmë janë miratuar në Qeveri dhe presin miratimin në Kuvend. Konsideroj se objektivat dhe qëllimi i këtyre dy projektligjeve shënon një moment të ri në vendosmërinë e institucioneve tona për të siguruar integritetin dhe besueshmërinë e qytetarëve tanë në sistemin e drejtësisë, përkatësisht edhe funksionimin e tij të mirëfilltë.

Projektligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së përfituar me vepër penale, është produkt i një analize gjithëpërfshirëse që ka pasur në fokus të arrijë tre gjëra. Së pari, të evitojë problemet praktike që kanë hasur organet e pavarura të zbatimit të ligjit në aspektin e konfiskimit të pasurisë së paligjshme, së dyti, të krahasojë modele dhe të gjenerojë një procedurë të avancuar jo vetëm në nivel rajoni por edhe në rang të BE-së dhe së treti, të definojë orientimin e qartë të Republikës së Kosovës drejt një sundimi efikas të ligjit, i cili ndër të tjera ia pamundëson atyre që merren me kryerjen e veprave penale, përfitimin nga pasuria e përfituar nga to. Tashmë, me këtë projektligj, janë zgjeruar veprat penale për të cilat vlen konfiskimi i pasurisë, është definuar mirë procedura e verifikimit të pasurisë së personave të dënuar për një nga veprat penale të parapara, si dhe është zgjeruar konfiskimi edhe ndaj palëve të treta që nuk janë blerës bona fide i pasurisë së të pandehurit. Ndryshimi më i rëndësishëm është edhe kalimi i barrës së të provuarit nga prokurori tek i dyshuari. Konkretisht, pas shpalljes fajtor të një personi nga gjykata, prokurori do të mund të kërkojë verifikimin e pasurisë së tij, duke listuar secilën pasuri të të dënuarit për një nga veprat penale të parapara me këtë projektligj, ndërsa është vetë i dënuari ai që duhet të dëshmojë që secilën prej asaj pasurie e ka përfituar me burime legjitime. Këto ndryshime, do mundësojnë një efikasitet më të lartë në konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale. Po ashtu, ky projektligj është në funksion të formimit të një klime të fuqishme që dekurajon aktivitetet kriminale ngase me hyrjen në fuqi të tij, Republika e Kosovës klasifikohet si një ndër shtetet me sistemin më të përshtatshëm që pamundëson çfarëdo përdorimi të pasurisë së përfituar me vepër penale dhe rrjedhimisht kthimin e saj në duar të institucioneve tona. Ky projektligj, është një mesazh i qartë se askush s’do mund ta shfrytëzojë pasurinë e fituar me vepra penale.

Projektligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në anën tjetër, është instrument i rëndësishëm legjislativ që mundëson mbrojtjen dhe inkurajimin e sinjalizimit të keqpërdorimit brenda sektorit publik dhe atij privat. Projektligji i ri, është zgjeruar pra edhe në drejtim të sektorit privat, duke synuar mbrojtjen e të gjithë atyre qytetarëve që kanë gatishmëri të flasin kurdo që dikush përmes aktivitetit ekonomik rrezikon shëndetin publik apo interesin e përgjithshëm të qytetarëve tanë.

Shpresoj se edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës do të reflektojnë pozitivisht duke miratuar këto dy projektligje sa më parë, në mënyrë që institucioneve të drejtësisë, organeve të pavarura të zbatimit të ligjit t’ia vendosim në përdorim këto dy projektligje tejet të rëndësishme për funksionimin efikas të drejtësisë në Republikën e Kosovës.

A besoni se këto ndryshime do zbatohen në rrafshin praktik, veçmas nga institucionet publike, gjyqësori dhe prokuroria?

Ne kemi për obligim që të hartojmë politika publike që synojnë më të mirën e mundshme për qytetarët tanë, për integritetin e institucioneve tona dhe në funksion të plotë të sundimit të ligjit. Natyrisht se zbatimi i tyre është elementi fundamental. Besoj se ndryshimet e propozuara, veçmas në kuptim të sqarimit dhe harmonizimit të plotë të kompetencave, do ndikojë në përmirësimin e komunikimit ndërinstitucional dhe rrjedhimisht trajtimin me kredibilitet të rezultateve të punës së organeve ligj zbatuese, në fushën e parandalimit të korrupsionit, abuzimit, pasurimit përmes aktivitetit kriminal dhe dëmtimit të interesit publik. Me të gjitha iniciativat ligjore të ndërmarra, njëherit duke fuqizuar gjyqësorin dhe prokurorinë edhe përmes rritjes së buxhetit që mundëson shtimin e stafit profesional dhe mbështetës, jam i bindur se rezultatet konkrete nuk do të mungojnë