12:27 / E Premte, 02 Gusht 2019 / indeksADMonline

Tahiri: Kthimi i qytetarëve nga Siria na bëri referencë globale kundër terrorizmit

Ministri i Drejtësisë, në një postim në rrjetin social në Facebook, ka bërë të ditur se Kosova është marrë si referencë nga SHBA-të, kur flitet për masat në luftën kundër terrorizmit global.

 Tahiri ka shkruar se ky vendim ka qenë më i vështiri që ka marrë, por ishte i vendosur të kthente fëmijët dhe viktimat e manipulimit nga zonat e konfliktit.

“Ndër vendimet më të vështira dhe puna më e ndjeshme që kam bërë gjatë këtij mandati si Ministër i Drejtësisë, ka qenë vendimi për kthimin qytetarëve tanë që gjendeshin në zonat e luftës në Siri. Kam qenë i vendosur që emri i Republikës së Kosovës të mos jetë referencë e asnjë aktiviteti që lidhet me terrorizmin dhe po ashtu, shumë i vendosur që fëmijët dhe viktimat e manipulimit të mos mbeten në zona të konfliktit” ka shkruar Tahiri.

 Ndër të tjera, në statusin e tij, Tahiri ka shkruar se ndjehet krenar që përkushtimi i tij ka marrë kredenciale edhe nga zyrtarët më të lartë të administratës amerikane.

 “Sot, të dyshuarit janë para drejtësisë dhe ballafaqohen me të, ndërsa fëmijët në rehabilitim dhe kanë filluar një jetë re. Republika e Kosovës ka treguar kështu përkushtimin e plotë ndaj rendit dhe ligjit, por po ashtu përkushtimin ndaj shtetasve të saj. Jam krenar që falë këtij përkushtimi, sot Republika jonë është referencë globale kundër terrorizmit dhe referencë globale për rigjenerimin social të viktimave të kësaj dukurie. Ky përkushtim tashmë ka marrë kredencialet e veta edhe nga Uashingtoni dhe zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës” ka shkruar Tahiri.