Tahiri: Luftimi i korrupsionit të bëhet në vazhdimësi
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, gjatë raportimit para Komisionit për Integrime Evropiane, ka përmendur masat që ka ndërmarrë ministria të cilën ai e drejton rreth ndryshimit të ligjeve që kanë qenë si kritere për fuqizimin e sundimit të ligjit.
Ai me këtë rast ka përmendur Kodin Penal, Kodin e procedurës penale e Projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.Si shumë të rëndësishme e ka quajtur rritjen e dënimeve që ndërlidhen me vepra korruptive dhe me keqpërdorimin e parasë publike.
Ndërsa, ministri Tahiri ka thënë se një çështje tjetër që ndërlidhet me Kodin Penal është se në momentin kur një zyrtar shtetëror do të dënohet për aferë korruptive, ai së paku 10 vite nuk mund të ushtroj veprimtarinë e tij në institucionet e Republikës së Kosovës.
Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, parashtroi pyetje për ministrin Tahiri, me qëllim që ky i fundit të sqarojë për qytetarët e Kosovës nëse është përmbushur ose jo kushti kryesor për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ministri Tahiri u përgjigj duke thënë se luftimi i korrupsionit duhet të bëhet në vazhdimësi, pasi sipas tij kjo çështje përcjellët vazhdimisht nga Bashkimi Evropian.
Ai tha se në këtë moment Kosova e ka përmbushur kriterin sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, por që ai tha se nëse mbas dy muajve nuk do të ketë raste të reja do të llogaritet si ngecje.
Ndërsa në pyetjen e deputetit të Alternativës, Ilir Deda, se a ka ndonjë ligj që duhet të përfundohet për të fituar liberalizimin e vizave, ministri Tahiri tha se Ligji për Prokurorin e Shtetit dhe Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit janë ende në Kuvend për të kaluar në lexim të dytë.
E ajo që është më e rëndësishmja në rrugën drejt liberalizimit të vizave, ministri Abelard Tahiri tha të jetë mekanizmi përcjellës.
Gjatë ditës së sotme po për temën rreth procesit të liberalizimit të vizave, në Komisionin për Integrime Evropiane ka raportuar edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.