13:31 / E Enjte, 21 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Tahiri: Me ligj të veçantë do të rrisim llogaridhënien

Jo vetëm me kod të etikës, por përgjegjësia dhe llogaridhënia në sistemin gjyqësor e prokurorial do të rregullohet me ligj të veçantë.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se këtë qasje do të ndjek gjatë vitit të ardhshëm, duke i dhënë prioritet Projektligji për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjykatësve dhe Prokurorëve.

Postimi i plotë:

Drejtësia është fondamenti i besimit që kanë qytetarët në institucione. Mandati im institucional si ministër është të prodhoj politika dhe ligje që e forcojnë këtë besim. Prandaj, sot mora pjesë në prezantimin e një raporti hulumtues nga ana e shoqërisë civile, që flet mbi shumë aspekte të sistemit të drejtësisë dhe komponentëve përbërëse të saj, dhe që meritojnë një trajtim më adekuat dhe vëmendje të shtuar. Theksova se për të siguruar pavarësinë e plotë, përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien e organeve ligj zbatuese, jam i angazhuar për rritjen e buxhetit të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial. Gjithashtu, jemi duke hartuar politika që do e ngrisin aspektin e përgjegjësisë në një dimension tërësisht të ri, synimi kryesor i të cilit është zbatimi i nocionit themelor të qytetarisë demokratike dhe shtetit ligjor, pra që ligji është i barabartë për të gjithë. Rrjedhimisht, në vitin që po hyjmë, në kuadër të pakos së ligjeve që do t’i vendosim në agjendën e Kuvendit të Kosovës është edhe Projektligji për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjykatësve dhe Prokurorëve, i cili e ngritë çështjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies në një nivel përtej kodeve të etikës. Konsideroj se vërtetë po krijojmë një moment të ri dhe përkushtim të ri për ta ngritur Shtetin e së Drejtës aty ku duhet të jetë, ku me të drejtë e presin qytetarët dhe ku ligjërisht e përcakton rendi demokratik, dhe për këtë, duhet të vlejë angazhimi i të gjithë neve.