13:28 / E Martë, 05 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Tahiri nis ndryshimet ligjore që tranzicioni i EULEX-it mos të lë boshllëk tek institucionet

Ministri i Drejtësisë, Ablerad Tahiri,  ka ofruar mbështetje për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Speciale, e cila ndikohet drejtpërdrejt nga largimi i EULEX-it, i paralajmëruar për qershorin e vitit të ardhshëm.

Përveç që ka vizituar gjatë ditë së marte këtë institucion, ministri Tahiri edhe në një postim të veçantë në Facebook ka theksuar se është duke bërë përgatitjet bashkë me Këshillin Gjyqësor që tranzicioni i EULEX-it,  mos të lë boshllëk, kur dihet se nga 20 gjykatës të kësaj Dhome, 7 janë të emëruar nga EULEX-i.

“Jemi duke bërë përgatitjet e nevojshme me Këshillin Gjyqësor që tranzicioni i EULEX-it, rrjedhimisht edhe shkuarja e gjyqtarëve ndërkombëtarë, të mos lë boshllëk në funksionimin e kësaj gjykate, përkundrazi, jemi të interesuar për rritje të efikasitetit dhe punës së Dhomës së Posaçme” ka shkruar Tahiri.

Tahiri ka përmendur themelimin e ekipit përgjegjës për hartimin e Koncept-dokumentit për rishikimin e ligjit ekzistues përkatës, si dhe rritjen e buxhetit, si mënyra më e mirë për uljen e numrit prej mbi 20 mijë lëndëve që ende janë të pazgjidhura. Ministri ka pohuar se përmbushja e mandatit të kësaj Dhome  ndikon edhe në shpërndarjen e mjeteve të kreditorëve dhe transferimin e mjeteve të Fondit të Privatizimit tek Buxheti i Republikës së Kosovës me qëllim të përshpejtimit të investimeve kapitale.

“Shqyrtimi dhe vendosja në kohën e duhur e lëndëve pranë kësaj Gjykate është esenciale dhe kërkesë bazike e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Prandaj, si ministër i Drejtësisë jam i vetëdijshëm për procesin e pritjeve të gjata nga ana e punëtorëve dhe kredtiorëve të ndërmarrjeve shoqërore dhe jam i vendosur që të përmbush cilin do obligim që del nga mandati im”  ka shkruar Tahiri.