18:05 / E Mërkurë, 28 Shkurt 2024 / S Z

Tahiri: Nuk udhëhiqet shteti me ushtrues detyre!

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Reforma e administratës dhe sundimi i ligjit janë dy kërkesa të BE-së pa të cilat nuk hapet asnjë kapitull i negocimit për anëtarësim në BE. Tahiri ka thënë se në raportin e fundit të BE-së, thuhet se Ligji për Zyrtarët Publikë nuk pasqyron zotimet e MSA-së që ka marrë Kosova.

“Reforma e administratës dhe sundimi i ligjit janë dy kërkesa të BE-së pa të cilat nuk hapet asnjë kapitull i negocimit për anëtarësim në BE. Në Raportin e fundit të BE-së, thuhet se, Ligji për Zyrtar Publik nuk pasqyron zotimet e MSA-së, që ka marrë Republika e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka shtuar se në këtë qeveri është bërë normë pozita e ushtruesve të detyrës. 

“Pozitat e larta, me ushtrues detyre janë kancer i administratës së shtetit. Tashmë, shteti udhëhiqet me ushtrues detyre: në presidencë, në kuvend e në kryeministri shërbimi civil udhëhiqet me ushtrues detyre. Kjo po zgjatë tash e tri vjet”, ka thënë Tahiri.