22:57 / E Mërkurë, 27 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Tahiri premton kushte më të mira për të burgosurit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka deklaruar se si institucion janë duke punuar në ofrimin e kushteve më të mira për të gjithë të burgosurit në vend. Ai në një intervistë për Indeksonline ka thënë se ministria që ai drejton do të jetë e përkushtuar në shumë drejtime në përmirësimin e ligjeve që prekin këtë dikaster.

“Jemi duke punuar në ofrimin e kushteve më të mira për të burgosurit, si dhe të kujdesemi për respektimin e të drejtave të tyre pa marrë parasysh racën, gjuhën dhe religjionin në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe konventat ndërkombëtare. SHKK, do të jetë në nivelin e detyrës dhe të ketë menaxhim të mirëfilltë, që ia mundëson funksionimin sipas ligjit dhe standardeve më të mira ndërkombëtare”, ka thënë Tahiri për Indeksonline.

Sipas tij, ministria do të jetë e përkushtuar edhe në rishikimin e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale si dhe infrastrukturën e ambienteve ku qëndrojnë të burgosurit në Kosovë.

“E para është baza ligjore, këtu vlen të përmendet rishikimi i Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. Aktualisht, është duke u vlerësuar legjislacioni në fuqi dhe ndikimin që ka pasur, por edhe sfidat që kanë dalë në proces. Rishikimi i këtij legjislacionit në fuqi, do t’ju jep zgjidhe pengesave dhe sfidave të funksionimit të mirëfilltë të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe të gjitha komponentëve të tij. Së dyti është Infrastruktura: Me qëllim të sigurimit të kushteve sa më adekuate për trajtim të personave në vuajtje të dënimit dhe krijimit të një ambienti adekuat dhe të dinjitetshëm, tashmë janë hapur disa qendra të reja siç është Burgu i Sigurisë së Lartë dhe së fundmi, qendra e paraburgimit në Prishtinë, me kushte bashkëkohore, e cila do jetë në dispozicion nga fillimi i vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.

Por infrastruktura si objektivë, sipas Tahirit, nuk do përfundojë me kaq.

“Unë do t’i kushtoj vëmendje secilës qendër korrektuese, për të bërë të gjitha përmirësimet e nevojshme në mënyrë që personat që janë në vuajte të dënimit, të kenë kushte të konsoliduar dhe ambient adekuat gjatë qëndrimit në këto institucione. Infrastruktura e duhur ndikon edhe në rritjen e mundësive për gëzimin e të drejtave të ndryshme siç është aftësimi profesional dhe e drejta e punës, parakushte këto për risocializim të suksesshëm dhe parandalim të recidivizmit”, ka shtuar Tahiri./Indeksonline/