14:55 / E Diele, 25 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Tahiri: Serbia indiferente në ofrimin e informatave dhe dëshmive mbi fatin e të zhdukurve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka kritikuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, se po tregohet indiferent dhe nuk është duke bashkëpunuar për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur. Tahiri ka theksuar se kjo çështje e ndjeshme po vazhdon të mbaj peng familjet, ndërkaq për mënyrën sesi duhet të trajtohet me tutje, ai ka bërë të ditur se ka diskutuar edhe me shoqatat e familjarëve dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur.

“Republika e Kosovës ka hyrë në dekadën e dytë me vizion dhe shpresa të reja, por assesi duke harruar çështjet që kemi trashëguar dhe për të cilat, duhet të përpiqemi më shumë se kurrë. Ndriçimi i fatit të personave të zhdukur, si një prej çështjeve më të ndjeshme që fatkeqësisht mban peng edhe sot e kësaj dite shumë familje kosovare, është preokupim i vazhdueshëm i imi si Ministër i Drejtësisë. Kam diskutuar me Kryetarin e Komisionit për Persona të Zhdukur, z. Prenk Gjetaj dhe Kryetarin e Shoqatës “Zëri i Prindërve” z. Bajram Qerkini, për obligimet tona institucionale dhe hapat që duhet ndërrmarrë më tutje që kjo temë të marrë një epilog, sa më parë që është e mundur. Përkushtimi dhe mbështetja ime për të adresuar preokupimet e familjeve të personave të zhdukur, nuk do rresht për asnjë moment. Tashmë është e qartë se adresa e vërtetë e këtij problemi, është Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili është duke treguar indiferencë dhe mos gatishmëri për të nxitur organet serbe që të bashkëpunojnë me institucionet tona, për të ofruar informata dhe dëshmi mbi fatin e të zhdukurve” ka shkruar Tahiri.

Por Tahiri ka theksuar se mbetet I pa lëkundur derisa rastet e evidentuara të marrin një adresë. “Megjithatë, kjo indiferencë për asnjë moment nuk do të na ndalojë që të bëhemi edhe më këmbëngulës dhe të pa kompromis në zgjidhjen e kësaj çështje. Në ditët në vijim, do të angazhohemi së bashku me të gjitha institucionet dhe shoqatat e familjarëve për të zgjeruar agjendën e përpjekjeve institucionale, deri sa të marrin përgjigje edhe 1652 rastet e evidentuara, në mesin e të cilave, dhjetëra foshnje, për të cilat duhet të ketë një adresë” ka përfunduar Tahiri.