13:29 / E Enjte, 06 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Tahiri takon ambasadorin amerikan, i shpalosë ndryshimet dhe reformat në drejtësi

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim njoftues Ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

Ministri Tahiri e ka njoftuar Ambasadorin Kosnett për ndryshimet dhe reformat që janë ndërmarrë për fuqizimin e sundimit të ligjit, avancimin e qasjes në drejtësi, si dhe për miratimin e agjendës legjislative që ka për qëllim forcimin e shtetit ligjor në Republikën e Kosovës.

Ministri Tahiri ka vlerësuar lartë mbështetjen që qeveria amerikane ka dhënë për sektorin e drejtësisë, dhe në veçanti përkrahjen e pa rezervë gjatë proceseve jetike të këtij sektori, Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të ligjit dhe agjendës së përbashkët “Drejtësia 2020”.

Hapat e ndërmarrë, sipas ministrit Tahiri, do të rrisin llogaridhënien dhe transparencën e institucioneve vendore, dhe do të ndihmojnë në rikthimin e besimit të qytetarëve në këto institucione.