17:25 / E Enjte, 02 Shkurt 2023 / MSH

Tahiri thotë se Kurti s’ka guxim: E kontrabandoi një lajm të madh, themelimin e Zajednicës

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka komentuar rrjedhën e seancës së sotme të Kuvendit, duke thënë se kryeministri Kurti “e kontrabandoi një lajm të madh për Kosovën, lajmin për themelimin e Zajednicës”.

Ai thotë se Kurti nuk ka pasur guxim që themelimin e Zajdenicës ta shtrojë si një çështje të plotë debati.

“Ai zgjodhi kohën më të përshtatshme për vete, për ta thënë këtë lajm duke iu shmangur ballafaqimit të deputetëve e duke lënë qytetarët në terr informativ. Por kësaj përpjekje, nuk do të mund t’i shmanget. Ai duhet t’ua shpjegojë deputetëve dhe qytetarëve në detaje se çfarë e bëri atë që ta pranojë zajednicën brenda natës” ka shkruar Tahiri.

Ky është postimi i plotë i tij:

Sot në Kuvendin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqi e kishte në agjendë t’iu flasë deputetëve serb për “vendimet e rënda” që e presin atë dhe Serbinë. Çuditërisht, në po të njëjtën kohë, pa agjendë dhe pa rend dite, përderisa po mbanim deklarimet jashtë rendit të ditës gjasë seancës së Kuvendit, edhe Kryeministri ynë Albin Kurti e kontrabandoi një lajm të madh për Kosovën, lajmin për themelimin e Zajednicës.

Kjo nuk është koincidencë. Kjo është gjë e menduar mirë. Por ajo çfarë ishte një përpjekje absurde për të shpëtuar nga ballafaqimi për “zajednicën”, ishte zgjedhja e kohës për deklarime jashtë rendit të ditës nga ana e kryeministrit, kur deputetët e kanë kohën e kufizuar për debat e replika. Madje, nga frika e ballafaqimit, kujdeseshin të na e përkujtonin se nuk kemi të drejtë ta kërkojmë fjalën se s’lejohet me rregullore.

Pra, Albin Kurti nuk ka pasur guxim që themelimin e zajednicës ta shtrojë si çështje të plotë debati, ku do të mund të diskutonim gjerë e gjatë se si erdhëm në këtë pikë. Ai zgjodhi kohën më të përshtatshme për vete, për ta thënë këtë lajm duke iu shmangur ballafaqimit të deputetëve e duke lënë qytetarët në terr informativ. Por kësaj përpjekje, nuk do të mund t’i shmanget. Ai duhet t’ua shpjegojë deputetëve dhe qytetarëve në detaje se çfarë e bëri atë që ta pranojë zajednicën brenda natës.