16:08 / E Enjte, 16 Maj 2019 / indeksADMonline

Takim me Cakaj, Ministri i Jashtëm Soini: Finlanda mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë

Në një takim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme në detyrë të Shqipërisë z. Gent Cakaj, ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës Timo Soini ka deklarauar se Finlanda mbështet hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian të Shqipërisë.

Gjatë takimit, në Helsinki të Finlandës, ministri i Jashtëm Soini konfirmoi se vendi i tij do të përpiqet jo vetëm të jetë votues në favor të këtij vendimi, por edhe lobues pranë shteteve të tjera.

Ministri në Detyrë Gent Cakaj shprehu mirënjohje ndaj ministrit Soini për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës dhe tha se shpreson në vijimin e kësaj mbështetjeje edhe gjatë Presidencës së ardhshme të Bashkimit Evropian nga ana e Finlandës në korrik 2019.

Z. Soini vlerësoi gjithashtu progresin e bërë deri tani në drejtim të plotësimit të prioriteteve kryesore dhe inkurajoi për vazhdimin e reformave në vend.

Dy ministrat, Cakaj dhe Soini, diskutuan gjithashtu për bashkëpunim të mëtejshëm dypalësh në kuadrin e politikës së jashtme dhe ekonomisë.

Më herët Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme në detyrë i Shqipërisë Gent Cakaj zhvilloi një takim me eskponentë të rëndësishëm të Organizatës për Politika të Jashtme të Finlandës Paasikivi. Takimi me kryetarin e organizatës dhe anëtarë të tjerë të saj, ku përfshihen ish-kryeministra, presidentë etj, u përqendrua në përparimin e Shqipërisë në integrimin evropian dhe zhvillimet në rajon.