07:47 / E Shtunë, 18 Mars 2023 / shkelqim osmanaj

Takimi i madh i Ohrit, a do t’i thuhet “PO” planit franko-gjerman!

Nën masa të rrepta sigurie, është duke u siguruar objekti ku do të mbahet takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vucic, në Ohër të Maqedonisë Veriore.

Ky takim do të ndërmjetësohet nga përfaqësues evropianë, konkretisht përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe emisari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajcak.

Indeksonline është duke qëndruar në Ohër ku do të raportojë për çdo ecuri të takimeve.

Dy zyrtarët e BE-së kanë porositur palët që ta pranojnë propozimin evropian të njohur si plani franko-gjerman.

Borrell ka thënë se takimi do të mbahet për të rënë dakord se si të zbatohet marrëveshja e propozuar nga Bashkimi Evropian.

Ndërsa, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të jenë konstruktive dhe fleksibile.

Ai ka deklaruar se do të dëshironte që marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të arrihej.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për dialog që çon në marrëveshjen e normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se pala kosovare do të vazhdojë të jetë konstruktive.

“…ne vazhdojmë të jemi konstruktiv, kreativ dhe të përkushtuar për dialog të hapur dhe thelbësor drejt një marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve. E falënderova për rolin e tij dhe mbështetjen e vazhdueshme”, ka thënë Kurti. /Indeksonline/