10:49 / E Martë, 03 Tetor 2017 / indeksADMonline

Takimi i ministrit Rikalo pasi Haradinaj i dha leje të dalë nga seanca

Kryeministri Ramush Haradinaj u kritikua nga deputetët në Kuvend se përse doli nga salla ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, pasi ata kishin pyetje në drejtim të tij.

Por Haradinaj u tha deputetëve se me pëlqimin e tij e liroi të dalë nga seanca, pasi kishte një takim me një ambasador, duke u arsyetuar se nuk e dinte që do të ketë pyetje për ministrin Rikalo.

Për këtë ministër është paraparë që sot të zhvillohet interpelancë me kryeministrin.

Megjithatë, u konfirmuar se ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, kishte takim me ambasadorin e Hungarisë, Laszlo Markusz.

Ministri Rikalo e njoftoi ambasadorin për programet zhvillimore të ministrisë, në kuadër të të cilave ai tha se do të shtojnë mbështetjen për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, duke fuqizuar edhe më tej këtë sektor, i cili është një impuls i madh për zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Me këtë rast, ministri e ka falënderuar ambasadorin Markusz për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Kosovës për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm dhe shprehu gatishmërinë e tij që të thellohet dhe zgjerohet edhe më tej bashkëpunimi mes Kosovës dhe Hungarisë, thuhet në njoftimin e kësaj Ministrie.

Nga ana e tij, ambasadori Laszlo Markusz, ka uruar ministrin Rikalo për detyrën e re dhe rikonfirmoi gatishmërinë e shtetit të tij për të ndihmuar zhvillimin bujqësor të vendit.