08:58 / E Enjte, 28 Maj 2020 / indeksADMonline

Takohen ministret Bajrami e Redzepi, flasin për arsimin në vend

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka pritur sot ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi, me të cilën ka biseduar rreth gjendjes në të gjitha nivelet e arsimit, si dhe për ecurinë e procesit të mësimit në distancë.

Ministrja Bajrami theksoi se organizimi i mësimit në distancë ka qenë sfidues, por me një punë të palodhshme të të gjithë akterëve të përfshirë dhe me ndihmën e donatorëve e partnerëve strategjikë, është arritur që mësimin në distancë ta ndjekin më shumë se 90 përqind e nxënësve.

Ministrja Rexhepi përgëzoi ministren Bajrami dhe MAShTI-n për punën e bërë rreth mësimit në distancë, ndërsa ofroi përkrahjen dhe gatishmërinë për të ndihmuar në procesin e organizimit të Testit të Arritshmërisë dhe Testit të Maturës, të cilat do të organizohen sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.