11:25 / E Martë, 04 Maj 2021 / Blerim

Talenti kosovar mban syze si legjenda Edgar Davids/ “Nuk më pengojnë, fal tyre unë mund të vazhdoj me futbollin”

Edgar Davids (tani 48-vjeçar), ish-lojtari i Kombëtares së Holandës është njohur si një nga futbollistët më karizmatik për shkak se mbante syze gjatë ndeshjeve.

Një histori dhe pamje të njëjtë ka edhe talenti kosovar, që luan te klubi kosovar, FC Prishtina, Darsej Morina, shkruan IndeksOnline

“Syzet nuk më pengojnë aspak për të luajtur futboll. Përkundrazi, janë mjeti që më kanë mundësuar që lojën ta shoh më kthjellur dhe ta perceptoj saktë. Syzet janë të punuara enkas për lojën e futbollit dhe janë shumë të lehta, nuk i ndjej fare. Fatkeqësisht nuk ka në Kosovë dhe gjithmonë duhet të kem edhe syze rezervë, në rast se ato gjatë lojës thehen në ndonjë duel”, ka thënë për IndeksOnline talenti i U17 te Prishtina, Darsej Morina

Historia e Edgar Davids:

Gjatë vitit 1999 futbolli kishte kaluar në plan të dytë për Edgar Davids për shkak të një problemi në nervin optik. Holanda, Juventus dhe të gjithë tifozët e futbollit ishin shumë të shqetësuar. Por, për fat të mirë doktorët e diagnostifikuan herët problemin. Davids mori një trajtim të shkëlqyer, shikimi i tij u stabilizua, por sytë e tij mbetën sërish të dobët. Për t’u rikthyer në fushë, kishte vetëm një zgjidhje. Ai duhej të mbante syze.

Talenti është djali i legjendës kosovare:

Morina është djali i trajnerit të njohur në Kosovë, tani i KF Arbërisë, Arbnor Morina. Për shkak të moshës, nuk e kishte njohur legjendën e Juventusit, megjithatë të gjithë trajnerët dhe gjyqtarët e thërrasin me emrin ‘Davids’. 16-vjeçari luan si mbrojtës qendror te skuadra kryeqytetase, kurse mbajtja e syzave ia mundësoi atij lojën e futbollit.

“Hahaha (qeshë). Po, më thërrasin Davids, referët, lojtarë, trajnerët e ekipit tim dhe kundërshtarët. Fillimisht Edgar Davidsin dhe lojën e tij të mrekullueshme me syze më kanë njoftuar familja ime atëherë kur unë kam filluar të kem nevojë për syze, e që kam menduar se s’do të mund të luaj më futboll. Unë kam lindur pasi që Davids është pensionuar si lojtar, por me anë të videove kam parë se si ai ka bërë lojë të magjishme edhe pse me syza. Kjo ka qenë një motiv për mua dhe fakt që bartja e syzave nuk privon nga të luajturit futboll. Sot, unë jam pjesë e ekipit U17 te FC Prishtina dhe luaj pa asnjë problem”, tregon talenti kosovar se si syzet ia shpëtuan karrierën dhe vazhdoi me futbollin

Gjendja në tabelën e U17:

Kujtojmë që gjatë këtij sezoni skuadra e Prishtinës U17 ka grumbulluar 28 pikë dhe gjendet në pozitën e pestë. Në ligën U17 kryeson 2 Korriku me 43 pikë, i ndjekur nga Trepça ’89 (41 pikë) dhe Llapi (38 pikë)./IndeksOnline/