18:53 / E Mërkurë, 08 Korrik 2020 / C E

“Tallava” futboll në Suharekë, Ballkani e “rexh” Llapin

Ballkani ka marrë tri pikë të arta dhe shumë të lehta ndaj Llapit në Suharekë.

Skuadra e drejtuar nga Munishi ka mposhtur atë të Batatinës me rezultat 5-1 në një ndeshje ku llapjanët ishin me formacionin e dytë.

Fillimi i pjesës së parë ishte i zjarrtë ku edhe u shënuan pesë gola, shkruan Indeksonline.

Topalli kaloi Ballkanin në epërsi që në minutën e katërt të ndeshjes.

Rezultatin e barazoi Mërgim Pefqeli i cili fillimisht humbi penalltinë e më pas me topin e kthyer shënoi në portën e vendasve.

Në skenë më pas doli Blend Baftiu i cili shënoi dy gola, të dytin shumë të bukur.

Baftiu fillimisht realizoi në minutën e 16-të e më pas edhe dy minuta më vonë me një goditje nga distanca.

Golin e katërt në ndeshje e shënoi Ermal Krasniqi në minutën e 38-të të sfidës.

Në pjesën e dytë u shënua vetëm një gol

Artur Magani shënoi me kokë pas një krosimi nga këndi në minutën e 88-të të ndeshjes.

Me këtë fitore, Ballkani ngjitet në pozitën e dytë me 59 pikë, dy më pak se Drita që po kryeson edhe me një lojë më pak.

Llapi në anën tjetër është në pozitën e gjashtë me 39 pikë, vetëm pesë pikë larg zonës së kuqe. /IndeksOnline/