10:03 / E Hënë, 04 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Taulant Xhaka tregon pse zgjodhi Shqipërinë dhe jo Kosovën

Mesfushori shqiptar, Taulant Xhaka ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën zvicerane “Blick”.

Ai ka folur për karrierën e tij te Basel si dhe të ardhmen e tij të afërt.

Xhaka gjithashtu ka treguar pse zgjodhi të luaj për Shqipërinë para Kosovës.

Vëllai yt, Graniti, thotë se ti je talent më i madh, por ai punon më shumë. A ka të drejtë?

 Ma thotë këtë gjë shpesh, por unë e shoh ndryshe situatën. Ai nuk luan tek Arsenali pa një arsye, por sepse ka potencial të vërtetë. Mund t’ju them se të dy kemi punuar fort, përndryshe nuk do të bëheshim futbollistë profesionistë.

Taulant Xhaka dhe Granit Xhaka

Remo Gaugler donte të të merrte nga Basel te FC Concordia kur ishe i ri, por Graniti nuk të lejoi…

 Kjo është e vërtetë. Në atë kohë i thashë Gaugler se jemi një paketë e dyfishtë. Kjo është arsyeja pse Basel e ka falënderuar më pas Granitin. Ai ishte një sulmues në atë kohë, ndërsa unë luaja si mbrojtës qendror dhe më pas në pozicionin “6”.

Graniti ka luajtur jashtë vendit për gjashtë vite e gjysmë. Ju, pse nuk e keni ndërmarrë kurrë këtë hap?

Sepse dua ta përfundoj karrierën time te Basel dhe nuk duhet domosdoshmërisht të shkoj jashtë shtetit. FCB është klubi im i zemrës, këtu jam në shtëpi, këtu ndihem mirë. Madje, po imagjinoj të qëndroj me klubin edhe pas përfundimit të karrierës sime aktive.

A keni një tatuazh të FCB?

 Jo, por ndoshta do ta bëj një të tillë së shpejti.

Besnikëria ndaj klubit është një gjë e rrallë në futbollin e sotëm…

 Unë mund të frymëzohem nga disa lojtarë, të cilët kanë qenë të lidhur me vetëm një klub: Totti, De Rossi, Maldini, Gerrard, Marcel Koller, Urs Fischer.

Massimo Ceccaroni te FCB, a po synoni rekordin e tij?

Sa ndeshje luajti ai?

452 ndeshje konkurruese, që do të thotë se duhet të luani mesatarisht rreth 30 lojëra në shtatë vitet e ardhshme…

 Kjo nuk është e pamundur, sepse jam vetëm 27 vjeç. Të bëhem lojtar-rekord i FCB për më shumë ndeshje të luajtura, do të ishte një ëndërr.

Ju keni fituar pesë kampionate me FCB, ndërsa tani duket se do të kurorëzohet YB për herë të dytë me radhë…

 Një moment, sezoni nuk ka mbaruar akoma. Shumëçka mund të ndodhë në futboll. Ne të gjithë e dimë se jemi 19 pikë prapa, por nuk kemi hequr dorë ende.

Nga vjen ky besim?

 Ne kemi bërë përgatitje shumë të mira dhe intensive, çka na jep mundësinë të mos e ulim ritmin në vazhdim. Skuadra është në gjendje të mirë. Me Stocker, Zambrano dhe Suchy, shumë eksperiencë na kthehet në fushën e blertë.

Taulant Xhaka

Pse YB ka dominuar 18 muajt e fundit?

 Për shkak se ekipi është rritur gjatë viteve, ndërsa ne kemi pasur shumë ndryshime. Dhe për shkak se YB, në kontrast me më herët, nuk ka lënë asnjë pikë kundër ekipeve më të dobëta. Ne duhet ta ndryshojmë këtë.

Marcel Koller po mendon të të pozicionojë në të djathtë në pjesën e dytë të sezonit…

 Në testin kundër Union Berlin luajta në këtë pozicion gjysmën e lojës. Sidoqoftë, në fund të fundit, nuk ka rëndësi për mua se ku luaj. Gjëja kryesore është që ta ndihmoj ekipin. I vogël kam luajtur si qendërmbrojtës, siç e përmenda më parë. Dhe vëllai im, Graniti, ishte një sulmues.

Si e keni përjetuar Zvicrën në Kupën e Botës?

 I kryqëzoja gishtat e mi dhe prisja me ankth, sidomos në sfidat e forta kundër Brazilit dhe Serbisë. Zvicra m’u duk pak e lodhur kundër Suedisë.

Si e përjetuat festimin me “shqiponjë”, pas fitores ndaj Serbisë?

 Tashmë është shkruar dhe raportuar shumë për atë moment, sa nuk dua ta rihap si temë.

Ju luani për Shqipërinë, por mund të kishit zgjedhur edhe Kosovën. A ju vjen keq për vendimin tuaj?

Jo, por Kosova është një kënaqësi. Aktualisht është me humor të mirë, ka shumë eufori, por edhe shumë talent.

Taulant Xhaka