14:38 / E Martë, 17 Tetor 2017 / indeksADMonline

Të diskriminuar që nga klasa e parë e deri në universitet

Vetëm një fëmijë romë në nivel vendi është i përfshirë në çerdhe.

Fëmijët e komuniteteve romë, ashkali si dhe egjiptian përjetojnë sulm psikik dhe fizik në shkolla.

Në familje flasin gjuhën amtare, e në shkollë mësojnë në gjuhë tjetër. Që nga klasa e parë e deri në universitet fëmijët e komunitetit romë, komunitetit, ashkali si dhe komunitetit egjiptian përballen me diskriminimin. Në klasa ata ulen në bankat e fundit dhe jo në fillim, edhe në libra nuk përfshihen me ndonjë shembull, kurse në tekstet e historisë prejardhja e tyre dhe kultura nuk është e përfaqësuar. Presioni psikik dhe ai fizik, sipas përfaqësuesve legjitim të komuniteteve romë, atij ashkali si dhe egjiptian është prezent në shkollat e Kosovës ku ndjekin mësimin fëmijët e këtyre komuniteteve.

Fatih Qukiqi ka kaluar të gjitha këto sfida që nga fëmijëria e tij kur si fëmijë i komunitetit romë u ulë në bankat e shkollës. Tani që po synon Universitetin, asnjë nga ulëset e rezervuara për këtë komunitet nuk po i mundësohet që të studiojë. Ai ka mbetur jashtë listës së të pranuarve në degën e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës (UP) ku dhe ka aplikuar për të fituar statusin e studentit.

Në këtë degë ka aplikuar në afatin e dytë. Qukiqi thotë se ende nuk e di për sa poena ka rënë nga provimi pranues. Pas provimit pranues ai ka shkuar të shoh rezultatin, mirëpo emri i tij nuk ka qenë fare në listë. “Emri im nuk figuronte as në listën e të pranuarve dhe as të refuzuarve. Kur e pashë që nuk më ka dal emri në listë kam bërë ankesë në Fakultet pse nuk më ka dal emri”, thotë ai duke bërë të ditur se nuk ka marrë përgjigje në ankesën e tij. Pastaj ai është lajmëruar tek përfaqësuesi i këtij komuniteti për të kërkuar ndihmë dhe të drejtën e tij në kuadër të ulëseve që këtij komuniteti i sigurohet me ligj. Ai kërkon t’i mundësohet studimi që të mos mbetet pa shkollim universitar.

Albert Kinolli përfaqësues legjitim i komunitetit romë thotë se kanë vendet e rezervuara për studentët e komunitetit romë në Universitet, por tani ky i ri nuk po gëzon këtë të drejtë . “Në Fakultetin e gazetarisë tri vende janë të zbrazëta, tri ulëse për tre studentë dhe ne kemi studentin e komunitetit romë që vjen nga komuna e Prizrenit dhe nuk i mundësohet që të jetë student në drejtimin e gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë”. Pas ankesës së Qukiqit tek Kinolli se nuk i ka dal emri në listë, ky i fundit thotë se pas interesimit për këtë rast ka marrë përgjigje se nuk ka kaluar pragun e provimit pranues. “Kam bërë kërkesë, i jam drejtuar senatit të Universitetit të Prishtinës dhe kam njoftuar senatin për vështirësitë të cilat ne ballafaqohemi si komunitet se gjuhën rome s’e kemi të praktikuar në sistem arsimor, se fëmijët romë përballen me kushte të rënda socio-ekonomike, sepse është e pakuptueshme që tri karrige janë të zbrazëta dhe studenti ka mbetur në rrugë”. Megjithëkëtë, ai thotë se përgjigja që kanë marrë ka qenë negative. Kinolli tani ka drejtuar ankesën në Ministrinë e Arsimit dhe janë në pritje të një përgjigje nga ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Të diskriminuar që nga klasa e parë

Kinolli tregon se diskriminimi ndaj fëmijëve romë nis që në klasën e parë. “Ata nuk po kanë të drejtë të mësojnë në gjuhën e tyre rome”, thotë ai. Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve zyrtare një komunitet në një komunë të caktuar nëse në atë komunë është gjuha tradicionale e fiton statusin e gjuhës në përdorim zyrtar. “Në Prizren kemi 5500 pjesëtarë të komunitetit romë. Gjuha rome flitet tradicionalisht mbi 600 vite dhe ne ende në Prizren nuk e kemi në përdorim zyrtar gjuhën rome”, thotë ai. Kurse në komunën e Graqanicës e cila është dhjetë herë më e vogël se komuna e Prizrenit gjuha rome është në përdorim zyrtar tash e sa kohë. “Kjo është absurditet. Ne para tetë viteve me shkresë si subjekt politik i romëve kemi bërë kërkesë që gjuha rome të jetë në përdorim në komunën e Prizrenit, mirëpo për fat të keq nuk kemi marrë përgjigje asnjëherë që 9 vite”, thotë Kinolli. Në mungesë të zbatimit të ligjit për gjuhët zyrtare, ai thotë se fëmijët e komunitetit romë mësojnë në gjuhën jo amtare edhe në komunat tjera si; në Pejë, Gjakovë, Fushë Kosovë, Gjilan. “Mbi 80 për qind e komunitetit romë arsimohen dhe edukohen në gjuhën shqipe, 8 për qind në gjuhën turke dhe 6 për qind në gjuhën boshnjake. Tani një përqindje nuk arsimohet fare për shkak të kushteve të vështira socio-ekonomike me të cilat përballet ky komunitet”.

Si të fitohet statusi i gjuhës si gjuhë zyrtare, ai thotë se është normale që dhe ministria e arsimit të jep kontributin e vet të sigurojë tekste në gjuhën rome. Por kjo po zvarritet. E Kinolli thotë se po ndihen jo të barabartë. Sipas tij madje kjo ka ndikuar që fëmijët romë të mos shkojnë në shkollë. “Nuk jemi pra të barabartë se gjuhë të parë ne kemi gjuhën rome. Flet gjuhën rome në shtëpi, dhe në shkollë duhet të arsimohesh krejt në një gjuhë tjetër e cila është gjuhë e panjohur për ty”. Dhe ky fakt ai thotë se është një problem që nuk po arrihet suksesi i dëshiruar nga fëmijët. “Kemi mungesë të realizimit të kërkesave dhe nevojave të komunitetit tonë”. Megjithëse Kinolli thotë se disa të rinj të këtij komuniteti kanë arritur të diplomojnë dhe ka kuadër në arsim. “Duhet të ekzistojë vullneti të shtyhen proceset përpara nga institucionet e Kosovës”. Madje ai thotë se edhe këta të diplomuar të këtij komuniteti po mbesin pa punë. Katër të rinj romë që kanë diplomuar vetëm në edukim janë të papunë.

Fëmijët e komuniteteve Romë, atij Ashkali si dhe Egjiptian nuk janë të përfshirë në tekste shkollore

Kinolli në emër të komunitetit romë thotë se fëmijët e këtij komuniteti nuk janë të barabartë në përfshirje në tekste mësimore. “Është një mangësi kjo. Do duhej të jenë të përfshirë sepse dhe ne jemi pjesë e Kosovës. Dhe ne kemi qenë pjesë e historisë së para luftës, e kemi qenë pjesë kontributdhënëse në të gjitha proceset që ka kaluar Kosova dhe jemi nënshkrues të pavarësisë së Kosovës”.

Danush Ademi përfaqësues i komuniteti Ashkali në Grupin 6+ në Parlamentin e Kosovës thotë se në tekstet mësimore të historisë duhet të vendoset një kapitull dhe disa rreshta në këtë rast për komunitetin ashkali që duhet të jetë aty gjysmë faqe së paku të flitet për prejardhjen e komunitetit ashkali në Kosovë. “Siç mësohet për të gjitha komunitet tjera të mësohet nga nxënësit mësohet dhe ta dinë se kush është komuniteti ashkali”. Ky komunitet ka flamurin dhe është komuniteti më i madh në Kosovë për nga numri. “Kemi kërkuar që në librat e historisë zyrtare të të gjitha shkollave të jenë ashkalit të përfshirë”. Këtë kërkesë, ai thotë se ia kanë adresuar ish ministrit të arsimit Arsim Bajrami dhe kanë marrë premtimin se kjo do të ndodh, por ai thotë se nuk ka ndodhur ende.

Edhe nga komuniteti egjiptian bëjnë të ditur se dhe ky komunitet është i diskriminuar sa i përket përfshirjes në tekste. “Të gjitha komunitetet janë të përfshira komuniteti ynë egjiptian e komuniteti ashkali nuk përfshihet sa duhet dhe gjithmonë lihet anash”, thuhet në përgjigjen për gazetën.

Të distancuar nga çerdhet dhe niveli parashkollor. Vetëm një fëmijë romë në nivel Kosove është në çerdhe.

Ademi thotë se shkollat duhet të jenë më afër, si dhe të hapen çerdhe e klasa parashkollore. Ai flet sesi fëmijët ashkali nuk po marrin hapat e parë në ciklin parafillor dhe çerdhe. “Fëmijët ashkali janë të distancuar nga çerdhet sepse nuk kanë mundësi t’i çojnë për shkak se 40 euro ose 50 euro kushton pagesa për çerdhe dhe një prind që është me asistencë sociale të dërgojë dy fëmijë apo tre është e papërballueshme për komunitetin tonë sepse niveli i lartë i papunësisë e ka sjellë deri tek kjo”. Ndërsa në parashkollor, sipas tij janë të përfshirë shumë pak.

Bashkim Krasniqi, një nga prindërit e komunitetit egjiptian thotë se në çerdhe në Fushë Kosovë asnjë fëmijë i komunitetit egjiptian nuk është përfshirë. Çerdhja publike ai tregon se është shumë larg nga zona ku banon ky komunitet. Kurse në çerdhet private ai shprehet se ky komunitet nuk ka kushte financiare për të dërguar fëmijët në çerdhet private. “As në nivelin parashkollor nuk shkojnë”, thotë ai. Ndërsa Gjyzele Shaljani pjesë e Divizionit të Ministrisë së Arsimit për komunitetet si dhe banore e komunitetit romë në Kosovë bënë të ditur se vetëm një fëmijë i komunitetit romë në nivel të Kosovës është në çerdhe.

“Nuk janë të kyçur të gjithë në sistemin parashkollor publik në mungesë të hapësirave si dhe në edukimin në institucione private nuk e kanë mundësinë financiare “, thotë ajo.

Profesori Lulzim Dragidella udhëheqës në Departamentin e Punës Sociale në Fakultetin Filozofik të UP-së thotë se përkrahja në fëmijërinë e hershme e fëmijëve është çelësi për sukses të mëvonshëm. “Hulumtimet në Gjermani na tregojnë se fëmijëria e hershme është shumë e rëndësishme në zhvillimin e personalitetit. Pikërisht Gjermania tani obligohet që çdo fëmije nga mosha tri vjeçare t’i ofron një vend në çerdhe, sepse ata e shohin si shumë të rëndësishme këtë fazë zhvillimore të njeriut. Edhe te komuniteti rom, komuniteti ashkali, komuniteti egjiptian duhet të fillohet që të përkrahet që në fëmijërinë e hershme se ne kështu japim sinjale se ata janë pjesë e kësaj shoqërie dhe pjesë e rëndësishme dhe në këtë mënyrë edhe ata e ndiejnë vetën si pjesë të kësaj shoqërie”. Profesor Dragidella thotë se shoqëria kosovare nuk duhet të merret vetëm me pasoja kur “ne këta fëmijë i shohim në rrugë apo të semafori kryesor tek Katedralja”.

 

MASHT: Përjetojnë presione psikike dhe fizike në shkolla

Veton Berisha përfaqësues i komunitetit egjiptian thotë se diskriminimi që ju bëhet këtyre fëmijëve nga pjesa e tjetër e shoqërisë ndikon që mos të ketë përfaqësim të mirë në shkolla. Ai tregon se më e dhimbshmja dhe më e pa tolerueshmja janë ofendimet që iu bëhen në bazë etnike. “Ofendimet janë të llojllojshme me terma ofendues me presione qoftë psikike dhe fizike ndaj tyre. Ky diskriminim iu bëhet vetëm që janë komunitet egjiptian. Iu bëhet nga vetë nxënësit, por ka raste edhe prej arsimtarëve dhe drejtorëve. Besoj që shteti duhet të punoj shume në këtë drejtim që ta ndaloj këtë lloj diskriminimi”, thotë ai.

Ndërsa përfshija e tyre në klasë bëhet tërësisht në mënyrë të diskriminuar. “Rreshtat e parë ulen të gjithë të tjerët, në bankat e fundit ulen fëmijët e komunitetit tim. Ky është hapi i parë që ndikon tek ta për ndërprerje të mësimit. Problemi qëndron vet tek mësimdhënësit që asnjëherë nuk mundohen për të bërë një baraspeshë. Ka raste ku formohen klasë të veçanta me nxënës të komunitetit tim dhe ajo klasë ofendohet gjatë gjithë kohës nga klasat e tjera. Mund ta paramendoni presionin psikologjik të atyre fëmijëve”, thotë Berisha dukë përshkruar se këta fëmijë kalojnë në shtypje të emocioneve. “Ka raste tjera të ofendimeve indirekte kur vijnë në klasa mësimdhënësi dhe pyet, kush është egjiptian le të ngritët në këmbë? Nuk e di me çfarë të drejte e bëjnë këtë gjë, ndoshta ka metoda më të mira për të pyetur se cilit komunitet i takon”. Sipas tij sistemi arsimor i Kosovës duhet të ndryshojë rrënjësisht për të mos u diskriminuar komuniteti egjiptian. “Shumë mekanizma brenda këtij sistemi duhet të pësojnë reforma në të mirë. “Gjëja e parë është vetëdijesimi i popullit shumicë që të mos e ofendojë komunitetin tim dhe mos ta diskriminoj, por t’i jepet rast për të treguar vetën, sepse besoj shumë se ne si komunitet mundemi me qenë një faktor me rëndësi për shtetin e Kosovës, në të gjitha proceset e jo vetëm në atë mësimor”, thotë ai.

SBASHK: Numri i mësimdhënësve nga këto komunitete i vogël

Pjesëtarët e komuniteteve romë, atij ashkali si dhe egjiptian konfirmohet jo vetëm nga përfaqësuesit legjitim nga këto tri komunitete se janë tepër pak të punësuar në sektorin e arsimit. Rahman Jasharaj kryetar i SBASHK-ut thotë se mësimdhënësit e këtij komuniteti janë të përfshirë në këtë sindikatë, por ata janë në numër shumë më të vogël se komunitetet. “Sepse dhe punësimi i tyre nuk është në nivelin sikurse me komunitete tjera për shkak të mos shkollimit të këtij komuniteti në masën siç janë komunitetet tjera”, thotë Jasharaj.

Ky artikull është mundësuar me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e Nismës së Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) dhe nuk pasqyron pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Artikulli është pjesë e projektit “Pjesëmarrja e të rinjve në edukim gjithë përfshirës” që implementohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHRKS), përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe realizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim -ATRC.