21:39 / E Hënë, 22 Shkurt 2021 / AR

Të drejtat e njeriut në stilin e Pekinit – si po vallëzon Kina me gjysmën e botës në “rrugën e saj alternative”

Në betejën ndërmjet sistemeve, Kina ka shumë ndikim dhe para, por pak të asaj që njihet si “fuqi e butë”, pra të ndikosh te shtetet e tjera me shembullin tënd dhe pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë. Kufizimi i të drejtave të njeriut, me çfarë dallohet Kina, nuk është diçka e pëlqyer dhe që mund “të shitet” aq mirë në botë. Megjithatë, Pekini po bën gjithçka që mundet për të përhapur konceptin e vet të epërsisë së mirëqenies mbi të drejtat tjera. Me pak sukses.

Shkruan: Faruk Ajeti

Kur u krijua Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, më 2006, që zëvendësoi Komisionin e KB për të Drejtat e Njeriut, Republika Popullore e Kinës ishte një nga anëtarët themelues. Që atëherë, Këshilli i të Drejtave të Njeriut është bërë një forum i dobishëm për Pekinin ku udhëheqja komuniste po promovon botëkuptimin e saj për të drejtat e njeriut që nuk është në përputhje me interpretimin demokratik perëndimor.

Sidoqoftë, qeveria kineze thekson se e drejta për zhvillim ka përparësi mbi të gjitha të drejtat e tjera; se është e drejtë që të minimizohen liritë individuale e politike dhe në vend të tyre t’u jepet përparësi të drejtave socio-ekonomike.

Shkeljet e të drejtave të njeriut përmes zhvillimeve të reja të teknologjisë (të tilla si inteligjenca artificiale dhe analiza e të dhënave) i kanë mundësuar Kinës krijimin e një sistemi të frikshëm të mbikqyrjes.

Që kur Xi Jinping erdhi në pushtet, udhëheqja komuniste është përpjekur të shmangë debatin mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Kinë dhe në të njëjtën kohë të ndërmarrë veprime më të forta kundër normave dhe standardeve të njohura ndërkombëtarisht. Para pak kohësh, Parlamenti Evropian deklaroi se “gjendja e të drejtave të njeriut në Kinë është përkeqësuar qëkur Presidenti Xi Jinping mori detyrën në mars 2013”.

Politika e represionit kundër kritikëve të regjimit, persekutimi mizor i ujgurëve në rajonin e Xinjiang dhe goditja brutale e policisë kundër lëvizjes për demokraci në Hong Kong demonstrojnë qartë strategjinë agresive të Kinës për minimin e normave ndërkombëtare. Dhe e gjithë kjo nën maskën e të qenit kontribuesi i dytë më i madh në buxhetin e KB që nga viti 2019. Ndikimi i Kinës shkon edhe më tej: katër nga pesëmbëdhjetë agjencitë e specializuara të KB kryesohen aktualisht nga diplomatë kinezë.

Rrethi i miqve të Kinës po rritet

Është e jashtëzakonshme se sa i suksesshëm ka qenë Pekini në përfitimin e vendeve të shumta në botë për të përkrahur politikën e Kinës në KB për të drejtat e njeriut. Kjo u bë e mundur në saje të projekteve të zgjuara për infrastrukturë dhe zhvillim si pjesë e “Rrugës së Re të Mëndafshit”, shoqëruar me investime masive, me një politikë të zgjuar për kredi dhe blerjen strategjike të nyjave të transportit. Kina arriti të bëjë për vete shtetet të dobaëta financiarisht varura (Pakistani, Sri Lanka, Xhibuti) ose t’i neutralizojë disa të tjera (Italia, Greqia dhe Turqia), ndërsa kundër të tjerëve që e kritikojnë atë (Australia), ajo mori një kurs të ashpër dhe ende merr masa.

Në dhjetor 2017, udhëheqja kineze lansoi “Forumin e të Drejtave të Njeriut Jug-Jug”, në të cilin morën pjesë më shumë se 300 përfaqësues dhe ekspertë nga mbi 70 vende në zhvillim. Qëllimi këtu nuk ishte respektimi i detyrimeve ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut, por promovimi i relativizimit të të drejtave dhe lirive individuale e politike. Këtu Presidenti i shtetit dhe partisë Xi paraqiti vizionin e tij për krijimin e një “komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin” si një alternativë tjetër e modelit të demokracive perëndimore për vendet në zhvillim.

Kur në korrik 2019, një grup prej 22 shtetesh me botëkuptime liberale-perëndimore të demokracisë në takimin e Këshillit të KB për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë kritikoi ashpër udhëheqjen kineze për gjendjen e të drejtave të njeriut në Xinjiang, çuditërisht asnjë vend nga Evropa Juglindore nuk i u bashkua këtyre zërave. Shtetet anëtare të BE-së si Italia, Malta, Portugalia dhe vendet e Vishegradit nuk e mbështetën kritikën perëndimore. Në fakt, për shkak të tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të KB nën administratën Trump (më 2018), nuk ishte vetëm nënshkrimi i Uashingtonit që mungonte në letrën e nisur nga vendet perëndimore. Qeveria italiane gjithashtu mungonte pasi Italia u bë vendi i parë industrial nga G7 që u bashkua me projektin “Rruga e Re e Mëndafshit” në mars 2019.

Pas pak, Kina përsëri aktivizoi aparatin e saj diplomatik kundër vendeve perëndimore përmes një grupi miqësor të Kinës prej 50 shtetesh, i përbërë nga vende të tilla si Koreja e Veriut, Rusia, Arabia Saudite, Siria dhe Bjellorusia. Nga Evropa ishte vetëm Serbia që mirëpriti në mënyrë aktive politikën e Pekinit.

Beteja tjetër diplomatike u zhvillua në tetor të të njëjtit vit në takimin e Komitetit të KB për Çështjet Sociale, Humanitare dhe Kulturore midis dy grupeve me qasje të ndryshme ndaj të drejtave të njeriut. 23 shtete me botëkuptim liberal perëndimor (tani Uashingtoni dhe Londra ishin në krye) dënuan shtypjen e egër kineze të ujgurëve dhe bashkësive të tjera etnike në Xinjiang në njërën anë, e në anën tjetër Kina mobilizoi një koalicion prej 54 shtetesh, të cilat vlerësuan masat e Pekinit për të “luftuar terrorizmin, islamizmin dhe radikalizmin” në Xinjiang. Ra në sy që nga iniciativa “17 + 1” vetëm katër shtete (Shqipëria dhe tre shtetet Baltike) mbështetën pozicionin perëndimor kundër Kinës, ndërsa Serbia u radhit përkrah Kinës; dhe dymbëdhjetë të tjerët abstenuan për shkak të politikës së tyre “të kujdesshme” në raport me Kinën.

Ajo që ra në sy më së shumti ishte se Italia, por edhe Zvicra, qëndruan neutrale në këtë luftë globale për politikën e të drejtave të njeriut.

Nëse hedhim një vështrim më të afërt në listën e vendeve që kanë mbështetur pozicionin e Kinës, ajo përbëhet kryesisht nga regjime autoritare ose gjysmë-autoritare – veçanërisht nga vendet në zhvillim në Azi dhe Afrikë. Fakti më zhgënjyes është se propaganda pro-kineze në lidhje me shtypjen e pakicës myslimane në Xinjiang u mbështet nga 23 shtete me shumicë myslimane që ishin më shumë të interesuara për thellimin e lidhjeve me Kinën se sa të shprehnin shqetësime në lidhje me shtypjen sistematike të ujgurëve. Organizata Islamike e Bashkëpunimit nuk reagoi njëjtë sikurse në rastin e myslimanëve Rohingya të persekutuar në Mijanmar (Burmani).

Në këtë kontekst, roli i qeverisë turke është për tu veçuar. Në të vërtetë, Ankaraja nuk nënshkroi as deklaratën e shteteve perëndimore dhe as pozicionin e Kinës. E megjithatë nuk mund të injorohet fakti që Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, i cili shquhet si mbrojtës global i myslimanëve, mbrojti masat kineze anti-ujgure gjatë vizitës së tij në Pekin në korrik 2019, pavarësisht nga fakti se ujgurët janë etnikisht turq-sunni.

Edhe një “Rrugë e Mëndafshit” e re

Fakti që Kina është bërë një fuqi e madhe globale e rrjetëzuar mirë tregohet gjithashtu nga dy shembuj të tjerë gjatë vitit 2020. 53 shtete bashkuan forcat – në mënyrë demonstrative – me Kinën kur, në korrik, 27 liberal demokraci perëndimore të udhëhequra nga Britania e Madhe mbështetën denoncimin në Këshillin e KB për të Drejtat e Njeriut ndaj Ligjit për Sigurisë për rajonin Special Administrativ të Hong Kongut të miratuar nga Kina.

Për më tepër, në tetor, vetëm 38 shtete nën udhëheqjen e Gjermanisë (por duke përjashtuar vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s si Greqia, Portugalia, Rumania, Republika Çeke dhe Hungaria) kritikuan sjelljen e Kinës kundër Ujgurëve dhe situatën e të drejtave të njeriut në Hong Kong në Komitetin e tretë të Asamblesë së Përgjithshme të KB; ndërsa Kina demonstroi fuqinë e saj me një koalicion opozitar prej 45 vendeve.

Do të jetë mjaft interesante të shihet se kush do të ftohet dhe kush do të marrë pjesë në “Samitin për Demokraci” të Presidentit të ri amerikan Joe Biden; por edhe të shihet se si do ta kundërshtojë atë Kina. Nuk mund të përjashtohet që Xi Jinping, si kundërpërgjigje ndaj Biden, do të lancojë një tjetër “Rrugë të Mëndafshit”, domethënë një “Rrugë të Re Mëndafshi për Demokracinë”; pas “Rrugës së Mëndafshit të Shëndetit” një sfidë tjetër shtesë dhe të re për Perëndimin.

Autori është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Austriak për Politikë Ndërkombëtare (OIIP) në Vjenë. Ky shkrim së pari është botuar në gazetën “Neue Zürcher Zeitung”.