17:08 / E Hënë, 26 Tetor 2020 / Blerim

Të enjten mblidhen deputetët, do të diskutohet edhe për problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës

Kuvendi i Republikës së Kosovës, të enjten, më 29 tetor 2020, do të mblidhet në seancë plenare, për të votuar për pikat e mbetura nga seancat e kaluara, ndërsa më pas, në po të njëjtën ditë, do të mbajë seancë të re.

Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga kryetarja Vjosa Osmani, me prezencën edhe të kryetarëve të grupeve parlamentare.

Votimi për pikat e papërfunduara do të bëhet nga ora 10:00, ndërkaq seanca e re do të fillojë në orën 11:00, me pikat e zakonshme: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Tutje, seanca do të vazhojë më shqyrtimin e parë të Projektligjit për të Drejtat Pronësore të shtetaseve të huaj në Republikën e Kosovës, për të vazhduar me zgjedhjen e drejtorëve të Bordit të NP KOSTT-it nga radhët e komuniteteve jo shumicë dhe kuotës gjinore, si dhe zgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave.

Pikë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe shqrytimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, raporti i Auditimit për vitin 2019, si dhe kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës për miratimin e buxhetit të këtij Komisioni Hetimor.

Në këtë seancë do të zhvillohen po ashtu edhe tri debate parlamentare: lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në pjesën veriore të Kosovës lidhur me pengesat që u bëhen për tu kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës, lidhur me vazhdimin e Qeverisë së Serbisë që të mbaj të fshehur të vërtetën për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë, të rrëmbyer nga ky shtet gjatë luftës gjenocidare në Kosovë, që ende konsiderohen të zhdukur, sipas kërkesës së deputetit Endrit Shala, mbështetur nga 6 deputetë tjerë, si dhe debat lidhur me sensibilizimin dhe masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse në luftën kundër kancerit të gjirit, sipas kërkesës së deputetes Albena Reshitaj, mbështetur edhe nga 14 deputetë tjerë.

Dy interpelancat e paralajmëruara të kryeministrit, ajo për çështjen “Përfshirja dhe ndarja e liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”, sipas kërkesës së deputetit Liburn Aliu, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, si dhe interpelanca, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”, pritet të mbahen gjatë javës së ardhshme. ​