10:14 / E Hënë, 15 Tetor 2018 / indeksADMonline

Të enjten seanca e re e Kuvendit, diskutohen projektligjet për ushtrinë

Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare, kryeparlamentari Kadri Veseli është deklaruar para medieve.

Veseli ka shprehur bindjen e tij se shndërrimi i FSK-së në Ushtri do të bëhet brenda këtij viti.

“Të enjten në rend dite do të jetë pakoja e ligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri”, ka thënë ai.

“Do të vazhdojmë menjëherë seancën me votimin e projektligjeve që kemi në agjendë. Të enjten gjithashtu do të kemi seancë duke vazhduar kështu edhe me të enjten pas kësaj, në mënyrë që të kemi seanca të rregullta parlamentare. Ajo çfarë dua të përçoj si mesazh është se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka përgjegjësitë e veta dh do të kryejë përgjegjësitë e veta në raport me qytetarët në rrugëtimin e vet drejt BE-së, në forcimin e sovranitetit, të institucioneve që Kosovën e qojnë drejt integrimit edhe në NATO”, ka thënë Veseli.

Veseli ka deklaruar se Lista Serbe ka qenë kundër ushtrisë, pra ka dashur që të protokollohet por do të kryhet brenda këtij viti.

“Ajo çfarë po bëjmë është të shkojmë me mençuri dhe dituri që të kryhet brenda këtij viti. Pra s’po flas brenda 5 muajve, por brenda këtij viti. E meçmja është që të respektohen procedurat dhe të shkohet bashkë me partnerët tanë. Mos të dëmtohet liberalizimi i vizave. Jam shumë i sinqertë me ju, nëse është qëllimi i opozitë të dëmtojë  liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Interpol, lirisht. Ne jemi duke u mundu që të ruajmë substancën e cila është shteti i pavarur dhe sovran, institucionet e Kosovës, SHBA dhe Bashkimi Evropian”, ka thënë Veseli, transmeton Indeksonline.

Sipas kreut të Kuvendit, është shumë entuziastë për ditën kur do të kalojë transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

“Unë jam po aq sa të gjithë këta deputetë të Kosovës entuziast  për ditën që të kalojmë transformimin e FSK-së, por duhet investuar jo vetëm të bëhet në mënyrë simbolike. Forcat e Armatosura, më pëlqen ky entuziazëm militarist por nuk e kemi ndërmend të shkojmë në një proces të cilin nuk kemi siguri, që të bëjmë një nga Forcat e Armatosura më profesionale. Ushtria e Kosovës do të ndodhë brenda këtij viti, kjo është shumë e qartë, nëse ka tentativë të krijohet gara rreth ushtrisë nuk është mirë për arsye se ka një konsesus nacional ajo çfarë duhet të koncentrohemi është fuqizimi i buxhetit, që të fokusohet në Ushtrinë e Armatosur. Ideja është të investohet me dhjetëra miliona në Ushtrinë e Armatosur, jo ta mbajmë siç është sot, me ato pajisje”, ka përfunduar Veseli./Indeksonline/