17:10 / E Premte, 21 Qershor 2019 / indeksADMonline

Të gjitha rrugët ju çojnë sërish në Tiranë!

Të gjitha rrugët ju çojnë sërish në Tiranë!Mbrëmjen e kaluar, në Amfiteatrin e Tiranës është mbajtur një prej koncerteve më të mira që është mbajtur në trevat shqipfolëse… sepse të gjitha trevat ishin aty!

Koncerti erdhi si ide dhe konceptim i APR – së Bashkisë së Tiranës, artistes së njohur, Rovena Dilo dhe gazetarit, Eraldo Rexho.

Fillimisht, duke u nisur nga line up-i mendova që do të qe një koncert i zakonshëm, me muzikë të mirë, por në fund të ditës bleva biletën dhe u ula në një ulëset e gurta të Amfiteatrit për të shijuar shfaqjen.

Që të jem i drejtë… vetëm ky ka qenë momenti i vetëm kur unë apo i gjithë publiku ndenjëm ulur.

Remzie Osmani, Gili, Eranda Libohova, Selami Kolonja, Maya, Orgesa Zaimi, Nexhat Osmani dhe Rovena Dilo u ngjitën në skenë për të sjellë edhe njëherë disa prej hiteve dhe këngëve më të njohura popullore shqiptare duke e ndezur kryeqytetin si kurrë më parë.

Brenda 2 orëve patëm mundësinë të udhëtojmë nga Tirana në Prishtinë, nga Shkupi në Çamëri, nga Ulqini në Preshevë duke kënduar serenata korçare, valle tropoje, Rugove e Tumakuqe e shumë e shumë këngë si këto.

“Të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë” – shërben, në fund të fundit, si një shembull edhe për mjaft qytete të tjera, si Prishtina, Shkupi, Ulqini e të tjera, për të marrë përsipër organizimin e evente si ky, të cilat kontribuojnë në ruatjen e vlerave tona kulturore, traditave të bukura shqiptare dhe tejçimin e kësaj kulture në brezat e rinj.

Nëse ka një cilësi për të cilën ne si komb mund të krenohemi, edhe nëse na vjedhin çdo aset kulturor është muzika shqiptare. Dhe evente të tilla bëjnë të mundur ruajtjen e kësaj vlere.

Jo vetëm kaq, por kjo bën të mundur që të bashkohemi dhe të afrohemi me njëri tjetrin akoma dhe më shumë… fundja, kjo është ajo që të gjithë dëshirojmë!

Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim një tjetër koncert si ky, ku mund të kërcejmë, këndojmë…/Indeksonline/