13:23 / E Mërkurë, 02 Dhjetor 2020 / Blerim

Të gjitha shpenzimet e Qeverisë Haradinaj për karburant

Shfrytëzimi i automjeteve zyrtare prej punonjësve të institucioneve publike për kryerjen e detyrave zyrtare, buxhetit të Kosovës i kushton miliona euro.

Sipas Raportit financiar 2019 të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2019 nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar 8.5 milionë euro për karburante për vetura për të gjitha institucionet publike.

Krahasuar me vitin 2018, këto shpenzime kanë rënë për 270 mijë euro (-3%) në vitin 2019. Kjo nënkategori përfshin 3% të shpenzimeve të bëra nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. Nëse e marrim një mesatare prej 1.07 eurosh për një litër të karburanteve, i bie që stafi politik dhe publik i Qeverisë i  kanë shpenzuar rreth 8 milionë litra karburante.

Bazuar në Ligjin për qasje në dokumente publike, Instituti GAP ka kërkuar të dhëna të personalizuara të shpenzimeve për karburante për vetura për vitin 2019 nga Zyra e kryeministrit (ZKM) dhe të gjitha ministritë. Kërkesës sonë për karburante i janë përgjigjur ZKM-ja dhe 18 ministri. Ndërsa tri ministri të tjera nuk kanë ofruar përgjigje, që janë: Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Srategjike dhe Ministria e Infrastukturës dhe Transportit duke mos e respektuar Ligjin për qasje në dokumente publike.

Nga të dhënat e mbledhura përmes kërkesës nga 19 institucione, del se gjatë vitit 2019, për karburate për vetura ato kanë shpenzuar mbi 369 mijë euro. Më së shumti ka shpenzuar Kabineti i Kkyeministrit Ramush Haradinaj me mbi 78 mijë euro, pastaj rënditet, Ministria për Komunitete dhe Kthim me rreth 31 mijë euro. Krahasuar me të dhënat e karburanteve të vitit 2018, gjatë vitit 2019 vetëm tri ministri (Ministria për Komunitet dhe Kthim, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave) kanë ulur shpenzimet për këtë kategori. Ndërsa ministritë që gjatë vitit 2019 për karburante të veturave kanë shpenzuar më shumë krahasuar me vitin 2018 janë: Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Zhvillimt Ekonomik, Ministria e Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvllimit Rural dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Për vitin 2019, Mmnistri i Administrimit Publik, Mahir Yagcilar, ka shpenzuar më së shumti në karburante për vetura me një total mbi shtatë mijë euro. Pastaj radhiten, ministri Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri. Gjithashtu, gjatë vitit 2019 Ministria e Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë ka ndërruar dy ministra, të cilët gjithsej kanë shpenzuar mbi 2 mijë euro./Indeksonline