Të gjitha vendimet e Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e sotme
Në mbledhjen e sotme kabineti është informuar për gjendjen e teatrove publike në qytetet e Kosovës. Funksionimi i teatrove në qytetet e Kosovës është kompetencë e komunave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është duke punuar në hartimin e ligjit të ri për teatrot i cili do të sigurojë mbështetje të veprimtarisë teatrore kudo në Kosovë dhe do të hap mundësitë për themelimin e teatrove në të gjitha komunat që kanë potenciale për të zhvilluar veprimtarinë teatrore.
Qeveria e Kosovës ka miratuar Vendimin që parcela e regjistruar në emër të Republikës së Kosovës në bazë të Vendimit të Qeverisë dhe e evidentuar në regjistrat kadastrale, e cila në bazë të Vendimit të Qeverisë është vënë në shfrytëzim për qëllime publike, për periudhën 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vjet me qëllim të zhvillimit të Parkut Gjermano-Kosovar për Inovacion dhe Trajnim, i jepet në shfrytëzim të përkohshëm Deutche Gezellshaft fur Zuzamenarbeit (GIZ) GmbH, për qëllime të përgatitjes dhe ruajtjes së hapësirave, me qëllim të themelimit dhe zhvillimit të Parkut Gjermano-Kosovar për Inovacion dhe Trajnim. GIZ do të ketë në përdorim parcelën nga momenti i lirimit të saj nga kontingjenti gjerman i KFOR-it e deri në themelimin dhe funksionalizimin e plotë të entitetit juridik i cili do të menaxhojë me Parkun Gjermano-Kosovar për Inovacion dhe Trajnim.
Në bazë të kërkesës së Federatës së Xhudos së Kosovës për mbështetje financiare, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin që të ndajë mjete për renovimin e palestrës sportive në të cilën Federata është duke zhvilluar përgatitjet për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike si dhe për të siguruar kushtet e transportit për xhudistët. Shuma e mjeteve të ndara është 143 mijë euro.
Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin më të cilin znj. Fana Rugova, bashkëshorte e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, i lejohet transferim i mjeteve financiare në muaj në vlerë prej 1,000.00 (njëmijë) euro neto, automjet dhe një drejtues automjeti, i cili do të jetë në shërbim të saj.
Është miratuar në mbledhjen e sotme edhe Rregullorja për funksionimin e sistemit të integruar informativ për zhvillimin ekonomik. Rregullorja përcakton mënyrën e funksionimit të integruar informativ në zhvillimin e sektorit të komunikimeve elektronike, për mbledhjen e informatave dhe të dhënave të nevojshme nga institucionet publike si dhe përcaktimi i të drejtave, detyrave dhe përgjegjësive të entiteteve të përfshira në sistemin e integruar informativ për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ka marrë miratimin nga kabineti qeveritar edhe vendimi për themelimin e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit. Këshilli harton dhe mbikëqyr implementimin e Programit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe i raporton ministrit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë mbi zbatimin e Programit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe mbështet ndryshimet në legjislacion dhe rregulloret ekzistuese. Këshilli përbëhet nga gjashtëmbëdhjetë (16) anëtarë, në këtë përbërje:
1. Sherif Fejzullahu – Ekspert i pavarur, kryesues;
2. Plator Gerdovci – Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit / MTI, zëvendës
kryesues;
3. Berat Ahmeti – Inspektorati i Tregut / MTI, anëtar;
4. Ibrahim Tershnjaku – Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, anëtar;
5. Hivzi Dragidella – Oda Ekonomike e Kosovës, anëtar;
6. Lumnije Ajdini – Aleanca Kosovare e Biznesit, anëtare;
7. Selatin Kaçaniku – OJQ – Konsumatori, anëtare;
8. Venera Agani- Banka Qendrore e Kosovës, anëtare;
9. Behxhet Bala – Zyra e Rregullatorit të Ujësjellësit, anëtar;
10. Rrezarta Ajeti- Autoriteti i Rregullatorit për Komunikime Elektronike, anëtare;
11. Petrit Haziri – Zyra e Rregullatorit të Energjisë, anëtar;
12. Arsim Dreshaj- Komisioni i Pavarur për Media, anëtar;
13. Hekuran Aliu- OJQ ‘LENS’, anëtar;
14. Nora Jusufi- Instituti ‘GAP’, anëtare;
15. Nora Bajrami- Lëvizja ‘FOL’, anëtare;
16. Arbër Kadriu- Organizata ‘Kallxo.com”, anëtar.
Dy vendime preliminare për shpronësimin e pronës së paluajtshme për interes publik që preken nga realizimi i projekteve të rëndësishme, janë miratuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme. Vendimi i parë ka të bëjë me pronat që preken nga realizimi i projektit të ndërtimit të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit dhe vendimi tjetër për pronat që preken nga realizimi i projektit për ndërtimin e “Kullës së Dem Ahmetit”, me qëllim të shndërrimit të saj në shtëpi muze për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë historike dhe kulturore.
Qeveria ka miratuar koncept dokumentet për kambialin dhe premtim pagesën dhe koncept dokumentin për procedurën kontestimore të propozuara nga Ministria e Drejtësisë, koncept dokumentin për rendin dhe qetësinë publike të propozuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Koncept dokumentin për trajtimin dhe kategorizimin e personave me aftësi të kufizuara të propozuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Kambiali dhe premtim pagesa kontribuojnë në përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes në Kosovë dhe janë instrumente të përshtatshme për kreditime të shpejta dhe lehtësisht përmbaruese;
Koncept dokumenti për procedurën kontestimeve synon sigurimin e të drejtës pronësore dhe forcimin e kuadrit ligjor në këtë fushë;
Koncept dokumenti për rend dhe qetësi publike rekomandon rregullimin e kornizës ligjore të qëndrueshme dhe në bazë të zhvillimit progresiv të shoqërisë;
Koncept dokumenti për trajtimin dhe kategorizimin e personave me aftësi të kufizuara rekomandon përgatitjen e Ligjit për trajtim dhe kategorizim të personave me aftësi të kufizuara i cili do të bazohej në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit duke kontribuar në realizimin e plotë të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar.
Është miratuar vendimi për lidhje të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në sferën e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e arsimit e cila planifikohet të iniciojë lidhjen e marrëveshjes rajonale ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencës.
Qeveria i ka propozuar Kuvendit të Kosovës që për kryetar të Bordit të Agjencisë së Kosovare të Privatizimit të zgjidhet Bajram Zejnullahu ndërsa për anëtar të ri në këtë bord është propozuar Hajzer Salihu.
Në mbyllje të mbledhjes, kryeministri Ramush Haradinaj në lidhje me iniciativën për thirrje të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës me qëllim të debatimit për temën e liberalizimit të vizave ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka kryer të gjitha punët që i takojnë asaj në lidhje me liberalizimin e vizave. Kryeministri gjithashtu ka shprehur bindjen se për temat e interesit nacional duhet të debatojnë të bashkuar dhe të kenë konsensusin e nevojshëm.
Duke vlerësuar situatën pas vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve të prodhuara në Serbi dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, kryeministri ka thënë se gjendja në gjithë vendin është stabile dhe se ka një respektim të masës në plotni. Gjithashtu ka një gjenerozitet në lejimin e hyrjes se donacioneve humanitare në Kosovë.