11:14 / E Mërkurë, 06 Korrik 2022 / C E

Të gjithë të lumtur, Pochettino me mesazh largohet nga PSG

PSG ka bërë ndryshime në postet drejtuese dhe në stol. Drejtori i ri sportiv është emëruar Luis Ocampos, ndërkohë që në vend të Maurcio Pochettinos në pankinë do të ulet Christophe Galtier, i cili ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me kampionët e Francës.

Trajneri argjentinas, i cili ka luajtur edhe si futbollist me PSG-në në vitet 2001-2003, u nda me PSG-në: “Dua t’i uroj më të mirën klubit, lojtarëve, të gjithë stafit dhe tifozëve.

Dua të falënderoj presidentin Al-Khelaifi që më dha mundësinë të jem sërish pjesë e familjes së PSG-së. Ne kemi shijuar momente fantastike dhe fitore të mëdha, jemi krenarë që dolëm kampionë në një klub që ka shumë domethënie për mua dhe familjen time, si lojtar dhe kapiten, dhe tani si menaxher”, shkroi Pochettino në rrjetet sociale.

Ndërkohë, Nasser Al-Khelaifi u shfaq entuziast në prezantimin e Galtier, i cili fitoi titullin kampion me Lille (2021), Kupën e Ligës me St Etienne (2013), ndërkohë që sezonin e kaluar mbërriti në finalen e Kupës së Francës me Nice.

Jemi shumë të lumtur të mirëpresim Christophe në familjen e Paris Saint-Germain. Udhëtimi i tij është i admirueshëm. Ai ka qenë i suksesshëm në çdo klub ku ka shkuar.

Suksesi i tij bazohet në një personalitet të jashtëzakonshëm që i lejon atij të marrë më të mirën nga lojtarët dhe ekipet e tij. Jemi krenarë që kemi një trajner francez dhe mezi presim të fillojmë kapitullin tjetër të rritjes së klubit me Christophe”, deklaroi presidenti Al-Khelaifi.