19:42 / E Enjte, 24 Shtator 2020 / indeksADMonline

Të hënën do të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi e konfirmon Lajçak

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak ka konfirmuar se të hënën do të zhvillohet takimi mes Koordinatorit shtetëror të  Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni dhe të deleguarit të pales serbe Marko Gjuriq.

Ai ka thënë se temë e diskutimit do të jenë pretendimet financiare dhe ato pronësore.

“Tema e Asociacionit nuk do të jetë në agjendë pasi njëra palë nuk është e gatshme për të diskutuar. Mirëpo kjo gjë duhet të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, siç është arritur pajtueshmëri gjatë takimit të liderëve”, ka bërë të ditur Lajçak përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Ndërkohë̈ që Kryeministri Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media të enjten, ka thënë se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumice serbe është e mbyllur dhe se nuk do të diskutohet më për të.

“Kjo temë nuk diskutohet sepse është mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe pastaj marrëveshja tjetër me parime e vitit 2015 që në fakt e përmirëson marrëveshjen e viti 2013. Pra, kjo nuk është temë që hapet në procesin e dialogut”, ka deklaruar Hoti.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më tutje, detajet konkrete janë harmonizuar me parimet/elementet e përgjithshme nga marrëveshja e vitit 2015.