12:14 / E Mërkurë, 11 Prill 2018 / indeksADMonline

Të hënën seancë me pesë inteperlanca

Kryesia e Kuvendit vendosi që të hënën të zhvillohet seanca e radhës në të cilën do të shqyrtohen 26 pika të rendit të ditës.

Lajmin për caktimin e seancës së re e bëri të ditur Dardan Sejdiu nga Grupi i deputetëve të pavarur.

“Seanca e radhës është vendosur të mbahet më datën 16 prill dhe do të trajtohen dikund afër 26 pika të rendit të ditës, prej të cilave janë pesë interpelanca”, tha Sejdiu.

Në rend dite të seancës së 16 prillit janë interpelancat e Kryeministrit Ramush Haradinaj për reduktimet e rrymës, për mjetet e ndara për KOSTT-in, për marrëveshjen me Contour Global në lidhje me “Kosovën e Re” dhe korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucione.

Në një interpelancë tjetër është ftuar edhe ministri i Shëndetësisë Uram Ismaili në lidhje me sigurimet shëndetësore.

Sejdiu pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se është i lumtur për interpelancën rreth marrëveshjes komerciale për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

“Unë jam tepër i lumtur që më në fund interpelanca për Contour Global dhe marrëveshjen komerciale që e ka nënshkru Qeveria e Republikës së Kosovës me Contour Global-in do ta trajtojmë në Kuvend”, tha Sejdiu.

Marrëveshjet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” u nënshkruan në dhjetor të 2017-ës.