18:03 / E Martë, 07 Maj 2019

Të jesh artist me emër dhe me vepër…

Shkruan: Mustafë Kadriaj

Çdo njeriu në këtë botë, kur i ka në pyetje problemet e veta, nuk i bie ndërmend shumë për të tjerët. Por nganjëherë, duke u munduar që të merret me vetveten, stresohet aq shumë sa i prishen planet mu atëherë kur mendon dhe tenton që të mos dështojë në momente delikate për të ardhmen e vet në planifikimet e veta.

Pas disa viteve stres, lodhje e angazhim dhe dalje nga vetvetja në momente të caktuara, vjen momenti dhe caktohet data e mbrojtjes së doktoratës dhe brenda një jave me parapërgatitje dhe përgatitje intensive për paraqitje para mentorit dhe komisionit të caktuar nga Universiteti Ndërkombëtar i Strugës, të përmbledhur në temën ne 35 paraqitje në Power Point, duke lexuar dhe rilexuar shumë herë që të dal sa më mirë, por çdo lexim jep edhe më shumë stres dhe emocione dhe krahas përgatitjes për paraqitje akademike si një i ri tentoja që të “shkëlqej” edhe në anën vizuale, duke tentuar që çdo detaj, edhe në kostum të ketë kuptimin dhe mesazhin e vet.

Kështu një ditë para mbrojtjes së disertacionit u nisëm për në Strugë së bashku me familjen, me qëllim që dita e nesërme të jetë më e qetë për mua, por këtu fillon të prishet plani im, sepse duhet të realizohet një plan tjetër, ai i Atij Fuqiplotë, siç njihet në popull caktimi i Zotit. Sidoqoftë, unë nisem për në Strugë nga Prishtina pasdite, duke e bërë rrugën natyrisht në një atmosferë festive, së bashku me bashkëshorten dhe dy djemtë, e pas katër orë rrugëtim arrijmë në destinacionin e caktuar, për t’u akomoduar në hotel, dhe pak më vonë i dhamë vetes hapësirë që të dalim për një kafe në restorant “Akuarius”, përballë peizazhit të liqenit, e pas pushimit kthehemi përsëri në hotel “Mirage”.

Edhe pse qëllimi ishte për të pushuar, por si të pushoja kur nesër ishte paraqitja ime më stresuese dhe me domethënëse për jetën time akademike, prandaj filloj ta shfletoj punimin, e hap lap-topin dhe e lexoj sërish paraqitjen ne Power Point, e krahas anës akademike duhet të interesohem sesi do të dukem para komisionit. Mu këtu fillon drama, e shoqëruar me stresin, ndërsa tani e tëra më duket si një skeç me vetveten, ngase në veturën tjetër në Kosovë i kisha harruar këpucët që do t’i mbathja në mbrojtje të disertacionit.

Oh, sa me vinte keq nga fëmijët që nuk mund të përmbaheshin, meqë edhe ata ndiheshin keq dhe nuk dinin sesi të më ndihmonin. M’u kujtua që ta lajmëroja vëllain në Prishtinë që të mos m’i harrojë këpucët, por e kisha drojën se nuk do të mund të arrijnë më herët. Sidoqoftë, unë tentova të pushoj, prandaj bie në shtrat në orën dy të mëngjesit, por si të pushoja? E tani më vjen të qesh me vetveten sesi u zgjova në orën pesë të mëngjesit dhe ashtu i stresuar prita deri të lindë dielli, kur ika deri në qendër të qytetit që të bëja një zgjidhje për këpucë më elegante. E parkova veturën në një vendparkim afër derdhjes së lumit Drini i Zi, duke soditur çdo dyqan në korzonë e qytetit, njëherësh duke aktruar sikur i kisha bërë vetes dhuratë një shëtitje në mëngjes. Me shpresë se do të bëja zgjidhe, e pyes njërin ashtu kot se ku mund të ketë dyqan të këpucëve, ndërsa ai me plot siguri dhe keqardhje me thotë se tani është herët o vëlla, por do të shohim, dhe shton që ai del këtu çdo ditë herët, sepse është mjeshtër i pajisjeve shtëpiake, e meqë unë kam hall, ai do të vijë me mua që të më ndihmojë dhe më tregon emrin e mbiemrin – Artist Skenderi, gjë që mua ma shton kureshtjen, sepse thënë të drejtën, mbiemër të tillë kisha dëgjuar, por jo edhe emër.

Ai pa një pa dy më thotë eja pas meje, ndërsa unë tentoja të largohesha prej tij, sepse dorën në zemër kisha nga pak frikë se kush mund të ishte ai, duke iu arsyetuar që të mos i marr shumë kohë, por ai i vendosur thotë se ka dëshirë të më ndihmojë.

U pajtova dhe së bashku me të endemi nëpër qytet, sa andej e këndej, dhe ofrohet ora e mëngjesit kur pronarët filluan t’i hapin lokalet dhe për fat e gjetëm një të furnizuar mesatarisht mirë dhe pronari a natyrisht na pret me ngrohtësinë e tregtarit duke na uruar mirëseardhje, por na lut që te pimë kafe aty afër derisa rendit dhe ekspozon këpucët. Udhërrëfyesi Artisti më thotë që nuk është hera e pare që unë jam në kësi rasti, ndërsa ai vazhdimisht i ndihmon njerëzit sa herë që kanë nevojë, edhe nëse i lë keqe punët e veta. “Unë u ndihmoj njerëzve dhe nuk vjen në shprehje asnjë interes”, ndërsa problemi ishte tek unë si t’i besoja një njeriu që nuk e kishte asnjë orë që e kisha takuar, sikur të zbriste nga qielli.

Natyrisht që tani më vjen keq për atë paragjykim ndaj njeriut me emrin Arstist, njeri me shpirt dhe me vepër, i cili më kërkon adresën e Facebookut që të bëjmë shoqëri dhe ta vazhdojmë miqësinë. Dhe, natyrisht vazhdoja me paragjykimin dhe frikën se kush mund të ishte ky njeri, edhe pse pamja e tij reflektonte sinqeritet. U ndava nga ai për të shkuar në hotel që të bëhesha gati për paraqitje me plot stres sesi do të shkonte prezantimi. Dhe, mbrojtja ime e doktoratës u vlerësua lart nga komisioni, kështu që me gjithë këtë odiseadë gjithçka përfundoi me solemnitet, e pas pauzës prej disa minutave, kryetari i komisionit – Profesor Vehbi Ramaj ma kumtoi titullin Doktor i Shkencave Ekonomike.

Natyrisht, nën emocione dhe ndjenjë të veçanta për mua, familjen e shoqërinë kaloi ajo ditë, ndërsa e artisti ma konfirmoi shoqërinë në Fb, e po atë ditë ai më uroi mbrojtën e doktoratës, për çka natyrisht isha i lumtur, por që me rezervat e mia më vinte keq që kisha këso paragjykimesh, dhe ndërkohe me shkruante e më uronte për çdo shkrim dhe prononcim timin në media, e kjo me bëri kureshtar të pyesja miqtë në Strugë nëse e njohin këtë njeri, duke ua treguar përvojën. Dhe, për çudi, të gjithë ata që i pyes në lidhje me të, deklarohen me buzëqeshje se ai është një njeri me tipare të veçanta, ndërsa kur u rrëfeja për përvojën dhe dyshimin tim, ata me përgjigjet e tyre më bënin të ndihesha akoma më keq për paragjykimin tim. Të gjithë si një deklaronin se ai është një njeri që në vazhdimësi u ndihmon njerëzve dhe që njihet në qytet si njeri human.

Me këtë rast kuptova dy gjëra, që pa marrë parasysh ne duhet t’i planifikojmë në jetë. Zoti e di më së miri për të ardhmen tonë, edhe pse në momente të caktuara na duket sikur përmbyset bota rreth nesh, dhe pa marrë parasysh stresin qe më shkaktuan këpucët, Zoti më kishte bekuar që ta takoja një njeri siç është Artist Skenderi, që si pak njerëz e harmonizojnë emrin me vepra, në mos edhe më shumë, sepse me emër është artist, kurse me vepra i flakëruar në arin e humanizmit, e kjo më bën të lumtur që Zoti më takoi me një njeri siç ishte Artisti.

E populli shqiptar ka plot njerëz si ai.