08:15 / E Premte, 13 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Të rinjtë gjakovarë organizojnë koncert për t’u dalë në ndihmë familjeve në nevojë

Sonte në Gjakovë do të mbahet një koncert humanitar i cili organizohet për të përkrahur iniciativën “For a Brighter 2020”, iniciativë kjo e nisur nga organizata “Inno” e që ka për qëllim të ndihmojë familjet me kushte të vështira ekonomike në komunën e Gjakovës.

Në këtë koncert do të performojnë Mc Kresha, Lyrical Son, Gold AG, Shkëlzen Jetishi, Jeton Cermjani, Valon Kumnova, Edi Ermeni, Vegim Furra

Gent Bytyqi, Ndriqim Gazija, Pleurat Doli, Diellza Nagavci dhe Shemsedin Sejhadi.

Bileta për koncertin që mbahet në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” e që nis në ora 18:00 është dy euro, të ardhura këto që do të shkojnë për fondin e ndihmës për familjet në nevojë.

Eli Bytyqi nga organizata “Inno” u shpreh falënderuese për mbështetjen që kanë marrë nga artistët që të bëhen pjesë e këtij koncerti humanitar dhe qytetarët e Gjakovës.

“Duke e marrë parasysh që jemi në prag të festave të fundvitit dhe angazhimet e artistëve janë më të mëdha, pavarësisht këtij fakti, kemi gjetur mbështetje nga ana e tyre. Shumica e artistëve që i kemi kontaktuar u janë përgjigjur pozitivisht ftesës sonë. Nga ana tjetër edhe përkrahja nga ana e qytetarëve të Gjakovës dhe jo vetëm, ashtu sikurse dhe vitin e kaluar edhe këtë vit tejkalon pritshmëritë tona, gjë për të cilën u jemi shumë falënderues sepse pa pjesëmarrjen e tyre organizimi ynë nuk do te kishte kuptim”, tha ajo.

Fushata “For a Brighter….” që ka për qëllim të gëzojë familjet në nevojë në këtë periudhë festash po organizohet për të pestin vit me radhë, ndërsa koncerti për herë të dytë.

Anda Hoxha nga po e njëjta organizatë tha se me të ardhurat e mbledhura do të sigurojnë ushqime esenciale, ndërsa dhuratat do të shpërndahen me datën 25 dhjetor në prag të festave.

“Si synim vitin e kaluar ka qenë t’i ndihmojmë 100 familjeve dhe kemi arritur me sukses, ndërsa sivjet shpresojmë që të tejkalojmë këtë numër me 200 familje me përkrahjen e vazhdueshme të bizneseve dhe të ardhurave prej këtij koncerti”, tha Hoxha.