13:15 / E Enjte, 01 Tetor 2020

Të zbatohen marrëveshjet, të hiqen barrierat tregtare midis Kosovës dhe Shqipërisë

Në prag të mbledhjes së përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, e paraparë të mbahet me 2 tetor 2020, ku pritet të nënshkruhen marrëveshje të reja, Instituti GAP, Instituti Riinvest dhe Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve të kaluara tregtare. Në fillim të vitit 2020, këto organizata kanë publikuar dy studime mbi marrëveshjet tregtare mes dy shteteve, një nga perspektiva e Kosovës me titull “Potenciali tregtar Kosovë-Shqipëri” dhe tjetri nga perspektiva e Shqipërisë  “Dy shtete një ekonomi”.

Rekomandimet e dala nga këto dy studimë përfshijnë pikërisht zbatimin e marrëveshjeve, eliminimin e barrierave dhe shfrytëzimin e potencialeve ekzistuese. Studimet rekomandojnë mes tjerash ngritjen e një strukture dypalëshe të qëndrueshme, me përfaqësi politike dhe teknike, me mandat të qartë dhe me detyrë monitorimin dhe shpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve, heqja e barrierave dhe ndjekjen e hapave të tjerë drejt integrimit ekonomik; harmonizimin e legjislacionit për taksat dhe akcizat; heqjen e barrierave ekzistuese në kuadër të vendosjes dhe themelimit të biznesit në të dy vendet; krijimin e instrumenteve të përbashkëta (sikurse Fond i Përbashkët Investimi); si dhe plotësimin e vendimit për përdorimin e Portit të Durrësit nga Dogana e Kosovës për eksport dhe jo vetëm për import.

Këto organizata kujtojnë se Shqipëria dhe Kosova janë partnerë të rëndësishëm tregtarë për njëra-tjetrën. Për Kosovën, Shqipëria zë vendin e parë sa i përket eksporteve dhe vendin e pestë sa i përket importeve. Shqipëria është e rëndësishme për Kosovën edhe për arsye se më shumë se një e treta e produkteve të tregtuara në Kosovë kalojnë transit përmes saj. Nga ana tjetër, edhe Kosova është partner i rëndësishëm për Shqipërinë, duke qenë i vetmi vend me të cilin ka suficit tregtar. Por, pavarësisht shkëmbimit tregtar në rritje dhe përpjekjeve për thellim të bashkëpunimit ekonomik me anë të marrëveshjeve të shumta, potenciali për rritje të shkëmbimeve tregtare për të dy vendet mbetet i pashfrytëzuar dhe barrierat tregtare janë ende duke penguar integrimin ekonomik midis tyre.

Për më shumë studimet mund t’i gjeni bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar  këtu: për studimin nga perspektiva e Kosovës https://bit.ly/2VGkgcS, ndërsa nga perspektiva e Shqipërisë këtu: https://bit.ly/2VNASzh.