Temperaturat e larta në Pallatin e Drejtësisë- Gjykata Themelore e Prishtinës merr vendim për reduktim të orarit të punës

Për shkak të temperaturave të larta në objektin e Pallatit të Drejtësisë, Gjykata Themelore e Prishtinës, ka marrë vendim për reduktim të orarit të punës nga ora 08:00 deri në orën 14:00.
Këto masa u morën bazuar në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës të 27 qershorit, në takimin me kryetaren e gjykatës, Albina Shabani-Rama me udhëheqësit e departamenteve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Aty thuhet se shërbimet administrative mbeten funksionale edhe pas orës 14:00, por me staf të kufizuar.
“Seancat gjyqësore, të cilat janë të caktuara pas orës 14.00, do të zhvillohen sipas orarit të paraparë, përveç rasteve kur gjyqtari i rastit apo trupi gjykues vlerëson se kushtet e punës nuk e lejojnë mbajtjen e tyre”, thuhet në njoftim.
Kurse, stafi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, të cilët janë të diagnostikuar me sëmundje kronike, lirohen nga puna nga ora 12.00.
Këto masa janë në fuqi deri më 25 korrik 2025, por me mundësi rishikimi./Indeksonline/