08:36 / E Enjte, 03 Shtator 2020 / indeksADMonline

Tendoset litari mes Erdoganit e Mitsotakisit, po ne ku jemi?

Shkruan: Skënder Berisha

Tema dhe përfundimet e luftërave turko-greko, nga leximet jo specialistike, na japin pasqyrën sa tragjike aq të rëndë për ne shqiptarët, të mbushura përplot me paradokse, me pasoja veçanërisht të mëdha për ne. Gjithsesi, edhe goditja e Evropës ndaj Turqisë në kontinent me marrëveshje, kongrese e memorandume paqeje, bart dimensionin e veçantë të kësaj tragjedie për ne shqiptarët.

Të jesh sot, për fitoren e z. Erdoganit ndaj z. Mitsotakis, nuk është barrë e lehtë. Aspak nuk është më e lehtë edhe të shfaqësh simpati për fitoren e z. Mitsotakis ndaj z. Erdogan.

Pra, lufta, turko-greke, në mbamendjen tonë, duhet të sjell si gjithmonë pasoja për të dyja kombet, por, gjithsesi, në të dyja rastet kushdo shpallet fitues nga lufta, shqiptarët po ashtu, nuk do t’i kenë lotët e paktë.

Pse shqiptarët do të qajnë me lot, pavarësisht se kush fiton në këtë luftë të mundshme për ujërat detare?

Për të marrë përgjigje sado pak objektive, do kujtuar fushëbetejën e famshme të Misolongjit, e cila njomej me gjakun e shqiptarëve suliotë. Do kujtuar këtu, familjen e famshme të Mehmet Aliut, themeluesit të Egjiptit modern. Paradoksi i orientimit është i qartë, o vendosesh me mbrojtësit e Misolongjit, ose me sulmuesit. Të dy anët e litarit, shqiptarë. Edhe ata që sulmonin, edhe ata që mbroheshin, ishin shqiptarë.

Kështu vijon edhe më tej, pavarësia e Greqisë, në rreshtin e 100 të më meritorëve për pavarësinë, 80 ishin shqiptarë, edhe ata që sulmonin këtë pavarësi, ishin shqiptarë, o të dërguar nga porta, o të dërguar nga veriut i këtyre tokave, deri te Bushatlinjtë.

Shqiptarët në Perandorinë Otomane, kohën e Ataturkut e deri sot te Erdogani, janë të akomoduar me meritë, në elitën e politikanëve dhe luftëtarëve besnikë të Turqisë. Traditë shekullore e familjeve të shpërngulura nga Greqia e sotme, apo trojet tjera shqiptare, qoftë nga dhuna serbe, malaziase, maqedonase apo greke.

Integrimi në sistemin shtetëror, për shqiptarët në Turqi ishte rrugë mbijetese, sepse, shqiptarët e shpërngulur në Turqi, aparatin shtetëror e kishin krahun më të sigurte për ekzistencën e tyre. Prandaj, duke u integruar në politikë, ekonomi, turizëm, por në veçanti në ushtri apo polici, dy sistemet e boshtit kurrizor të shtetit, e mbanin gjallë qoftë fizikisht, tërë morinë e shqiptarëve të ikur nga dhuna e okupatorëve në trojet e veta, në pamundësi të rezistencës. Pra, shqiptari për njëqind vitet e dy shekujve të shkuar, strehohej në Turqi ku gjente atdheun e vet të dytë.

Njëjtë, edhe arvanitasit, çamët ortodoks, gjithandej trojeve të veta në Greqi, e lartësuan historinë greke në nivel global, jo vetëm me pavarësinë e fituar nga Turqia, por dëshmonin edhe ekzistencën e vet, edhe me fenë që i kundërvihej qartësisht asaj të Stambollit, qëndronte heroikisht, dhe qëndron edhe sot, brenda një shteti që ia mohon ekzistencën, edhe pse deri në vitet ’30 të shekullit të 20-të, fjalori dhe komanda në anijet greke jepej në gjuhën shqipe.

Megjithatë, arvanitasit i gjejmë sërish drejtues politik, ushtarak e bankier të aftë e të fuqishëm brenda Greqisë, por, po aq të heshtur sikur në Turqi. Origjinën, së paku ua thonë paraardhësit e tyre që kontribuuan me mbi 25 kryeministra prej Pavarësisë së Greqisë, ua thonë vendlindjet nga vinë, fshatra apo qytete me arvanitas, me mbiemra apo deklarimin e tyre të haptë.

Prandaj, sot, kur mund të sulmojë z. Erdogan, me njësitë e veta elite, do të ketë shumë shqiptarë që do të sulmojnë Greqinë. Ashtu siç do të ketë shumë arvanitas që do t’i kundërpërgjigjeshin Turqisë, me çmimin e jetës. Andaj, dilema e orientimit, bëhet më e mjegullt. Në të dy anët e litarit të tendosur në mes të z. Erdogan dhe z. Mitsotakis, do të ketë shumë gjak të derdhur nga shqiptarët, për vlerat që i njohin si sublime për të cilat e japin jetën.

Pra, për shqiptarët, më e mira do të ishte të mos tendosej ky litar. As të mos e marrë anën në luftë skaji që tërheq z. Erdogan, as nga skaji që tërheq z. Mitsotakis. Sepse, fituesi do të thoshte se është nënshtruar pala tjetër, që gjithsesi, do të ketë në radhën e viktimave dhe flijimit të heronjve, shumë shqiptarë.

Nëse ndjekim vijën evropiane të orientimit pragmatik apo diplomatik, të prira nga luftanijet e vendeve të BE-së, rezultati është tjetër, kurba e lotëve, do të rritet edhe përtej tri kombeve.

Nëse ndjekim vijën e orientimit të këtyre dy vendeve karshi luftës tonë çlirimtare, rezultati del tjetër. Gjithsesi do të kishim interes të marrim anë.

Nëse ndjekim përshtypjet nga perspektiva e Ibrahim Pashës apo Marko Boçarit e Bubulinës, prapë del të kemi rezultat tjetër.

Nëse numërojmë viktimat tona në përballjen me këto dy shtete dhe kombe, rezultati del tjetër.

Nëse shohim ku flitet e ruhet shqipja, ku lejohet arsimimi në gjuhën shqipe, ku jeton shqiptari e si jeton, si përfaqësohet shqiptari, si e kalon jetën në këto dy shtete mike, rezultati del tjetër.

Nëse vendosim parimin e interesit nacional momental, po ashtu, del rezultat tjetër.

Nëse e matim me kryeministra shqiptar në këto dy shtete, kemi po ashtu një rezultat, aty-aty.

Po të mbetej te argumenti i forcës, njëra pjesë e litarit, është larg më e fuqishme, por në rastin kur do të ishte pa simpatinë e atyre që forcuan anën tjetër të litarit, nga asgjëja.

Por, nuk duhet harruar se sa herë me kongrese e traktate dënohej Perandoria Otomane në Evropë, ne, shqiptarët e pësonim me gjenocid dhe grabitje të tokave tona nga fqinjët, secili sipas takatit, por pa përjashtim. Proces që u ndal me luftën tonë çlirimtare, si realitet dhe esencë shekullore e shpirtit tonë për liri.

Po ashtu, kur fuqitë e mëdha ia përcaktuan kufijtë Greqisë, ne sërish pësonim. Andaj, cilado palë do ta tërheq tash litarin më shumë nga vetja, shqiptarët do të jenë pjesë e tragjedisë, pa u implikuar në kufirin e luftës së tyre, as pa u deklaruar rreth luftës, sepse radhët e dy ushtrive, do të jenë plot me shqiptarë. Përtej tragjedisë që do të gjente dy shtetet e në veçanti shtetin humbës, shqiptarët do të humbnin sërish.

Në të dyja rastet, lotët e shqiptarëve, do të jenë me bollëk, menjëherë pas atyre që do të derdhë Turqia dhe Greqia, sepse, vija e parë e ballafaqimit, në çdo rast, i pret shqiptarët.

Andaj, më e mira, nga çdo aspekt, njerëzor, diplomatik, politik, ekonomik dhe vet civilizimin e kësaj pjese të ndjeshme të botës, jo vetëm për Turqinë dhe Greqinë, por edhe për shqiptarët, do të jetë paqja.

Paqja arrihet duke e nënrenditur argumentin e forcës me forcën e argumentit se rruga e vetme është bashkëpunimi. Evropa, nuk mund të kthehet në shekullin e 19-të, sikur Turqia nuk mund të kthehet në kohën e rrëzimit të bedenave të Konstantinopojës.

Paqja ka më shumë argumente se forca. Turqia e Greqia duhet të gjejnë paqen. Le të gjejnë paqen, ndërsa ne, shqiptarët, duhet ta rigjejmë veten!