Tentim-vrasja ndaj gjinekologut Gojani: E dëgjova të akuzuarin duke thënë se ‘kam me ju vra tonëve’
Gjinekologu Premtim Gojani, ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, në cilësinë e palës së dëmtuar, për rastin që tani akuzohet ish-dhëndëri i tij, Faton Fetiu.
Fetiu akuzohet se më 13 shkurt të këtij viti, në lagjen “Marigona”, që ndodhet në periferi të kryeqytetit, kishte tentuar t’i privojë nga jeta Premtim Gojanin si dhe bashkëshorten e tij, Afërdita Gojani. E dëmtuar në këtë rast është edhe vajza e tyre, Donika Gojani.
Për këto veprime, Fetiu tani akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.Lidhur me këtë rast, ka vazhduar gjykimi të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
I dëmtuari Premtim Gojani, ka thënë se mëngjesin e 13 shkurtit, ai dhe familja e tij, kishin parë tmerrin me sy.
Ai ka deklaruar se në ditën kritike, kishte dal në dyqanin e lagjes për të blerë gjëra ushqimore dhe jashtë dyqanit, sipas tij, kishte parë një person që thotë se i ishte dukur sikur ish-dhëndëri i tij që nuk kishte parë për shumë vjet.
Gojani shtoi se më pas ishte kthyer në shtëpi dhe i kishte thënë gruas së tij se i është dukur se e ka parë ish-dhëndrin, e më pas sipas tij, në ora 7:30, kishte dal si çdo mëngjes nga shtëpia për të shkuar në punë me vajzën e tij, duke shtuar se e te dera e hyrjes së oborrit e kishte takuar, tani të akuzuarin.
“Jam takuar me personin në fjalë dhe ka nxjerr elektroshokun dhe ka thënë “të hyj brenda në shpi të bisedojmë”, unë nuk kam pranuar sepse ky nuk është më miku i ynë, motra është shkurorëzuar dhe në atë moment me insistimin e tij, i kam thënë vajzës thirre policinë sepse kërcënimet e tij ndaj meje janë nga viti 2005 dhe e kam lajmëruar në polici diku në vitin 2010.
Në atë moment, ai ka reaguar “policinë a”, e ka nxjerrë alltinë dhe më ka goditur e kam rënë në tokë, ishte përballë meje në afërsi dy metra”, ka deklaruar ai.Ai tha se nuk kishte tentuar as të ikte sepse nuk kishte ku të shkonte.
“Në momentin kur jam shtri, vajza është gjuajtur mbi mua për të më mbrojtur mua. Kur është gjuajtur vajza ka bërtit, shoqja ka bërtit, kanë filluar të sharat, fjalë banale. Kur ka parë që po lëvizi, që po m’lëviz këmba, sepse unë si mjek dëshiroja të shoh a po më lëvizin reflekset, atëherë më ka thënë “a hala je gjallë” dhe atëherë në pjesën e brinjëve ma ka dhënë goditjen e dytë. Predha për fatin tim të mirë është ndal në bri, gjakderdhje kam pasur dhe plumbi i tretë është në kokë. Goditjen e tretë kam qenë shtrirë, ky ka qenë mbi mua dhe më ka goditur në kokë. Për fat të mirë plumbi nuk ka depërtuar në thellësi dhe është ndal”, vazhdoi duke deklaruar tani i dëmtuari Premtim Gojani.
Ai ka thënë se plumbin ende e ka në boshtin kurrizor, pasi sipas tij, është rrezik të largohet meqenëse është mes dy unazave dhe nuk preferohet të intervenohet për shkak të komplikimeve të mundshme.
Tutje, tha se e din që në ndërkohë ka pasur edhe të shkrepura të tjera, por nuk e din në cilin drejtim, kurse bashkëshorten e tij, deklaroi se nuk ka mundur ta shoh, ndërsa e bija e tij, tha se kishte qenë mbi të.
Ai tha se nuk e di se pse ka tentuar ta vras tani i akuzuari, duke shtuar se e gjithë familja e tij është e traumatizuar nga kjo ngjarje.Duke përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Faton Fetiu, avokatit Betim Shala, i dëmtuari deklaroi se pasi nuk kishte pranuar që të hynte në shtëpi me të akuzuarin, i njëjti e kishte nxjerrë elektroshokun. Kurse, tha se veprime ndaj tij nuk kishte ndërmarr, vetëm i kishte thënë vajzës që ta thërriste policinë.
Ai ka deklaruar se nga goditja e parë deri te goditja e dytë dhe e tretë ka dëgjuar edhe krisma tjera të armës, si dhe tha se e ka dëgjuar të akuzuarin duke thënë “a ju kam thënë që kam më ju vra tonëve”.
Kurse, duke u përgjigjur në pyetjen e të akuzuarit Faton Fetiu, ai tha se nuk ka pranuar që të bisedojë me të, pasi ai nuk është dhëndër i tij më dhe se në vitin 2011 në prani të avokatit Gazmend Nushi, familjet kanë nënshkruar një marrëveshje dhe nuk kanë detyrime ndaj të njëjtit.
Që nga kjo kohë, ai ka deklaruar se të njëjtin as nuk e ka parë e as nuk ka pranuar thirrje.“Nuk mu ka përgjigj mi pagu të hollat e banesës së fundit, ja ka fal gruaja vëllait të vet. Nuk kam pas qëllim të vrasjes se kur e vras nuk i marr të hollat”, ka deklaruar i akuzuari.Kurse, i dëmtuari ka thënë se e ka bërë këtë pagesë dhe ekziston kontrata e noterizuar në Amerikë.
“A jemi taku në Amerikë njëherë kur të kam thirr e të kam thënë ami 100.000 dollarë?” ishte pyetja e të akuzuarit.
“Në Amerikë jemi takuar, nuk ka kërkuar pare, por në emër të dëmshpërblimit ka kërkuar për disa karrige që i ka pasur, të cilat për hir të motrës i është paguar vlera për 40 karrige, në vlerë për 18.000 dollarë. Në ndërkohë për banesën që përmendet, ka qenë e motrës, është shitur dhe kemi kontratën te noteri në Amerikë, të noterizuar dhe është e nënshkruar nga të dy”, është përgjigjur i dëmtuari.
“A të kujtohet kur të kam thirr në telefon për me bisedu përpara se me vdek djali i dajës para rreth 8 vjete? “, vazhdoi duke pyetur i akuzuari.
“Nuk më kujtohet. Ka shantazhu ton kohën, ka kërkuar para, a kur ka vdek djali i dajës ka ardh ka kërku falje për thirrjet që i ka bërë dhe shantazhet për borxhe të imagjinueshme dhe pas kësaj kanë ndodh prapë thirrjet e shantazhet”, ka deklaruar i dëmtuari.
“I kam thirrjet, i kam trakat që të kam lut me fol”, vazhdoi duke thënë Faton Fetiu.
“Nuk ka pasur lutje, vetëm shtantazhe e pare më ke kërku, prandaj të kam lajmëru në polici”, i ka thënë i dëmtuari. Ai duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, Vesel Ismajli, deklaroi se është shqetësuar kur e ka parë të akuzuarin ditën kritike pasi e ka kërcënuar.
“Prej 2005 më ka maltretu, kërcënu. Vet prezenca e tij është shqetësim për mua, edhe këtu tani. Është shqetësim se ky njeri është i problemeve, vërtetim është çka ka ndodh në trup tem”, ka thënë ai.
Ai tha se deri në vitin 2005 nuk kanë pasur probleme dhe kanë pasur raport shumë të mirë me ish-dhëndrin.
“Deri në 2005 i kemi pasur raportet mirë, pastaj kanë filluar shantazhet për borxhe të imagjinueshme. Para se të ikte në Amerikë, ka punuar në lokal që ka qenë pronë e babit tim dhe pasi ka vdekur baba im ka filluar të diskutoj për këtë punë e të kërkoj gjoja borxhin. Ju ka kompensu për karrige në vlerë prej 18.000 e diçka dollarë, kur janë mbledhur familjet në emër të përmbylljes së këtyre muhabeteve janë kompensuar edhe 10.000 dollarë në llogari dhe prej atij momenti nuk jam dëgjuar me të as nuk e kam parë”, ka thënë i dëmtuari.
Ai ka thënë që banesën që ai thotë se ia ka borxh, e ka blerë prej tyre dhe e ka noterizuar.
Kurse, tregoi se në vitin 2005, i akuzuari e kishte kërcënuar me vdekje.“50.000 dollarë me mi qit në llogari time, nuk guxon me ditë as motra as kërkush, përndryshe ta vraj motrën dhe vi të vraj ty atje se më ki borxh”, ka deklaruar i dëmtuari.
Paraprakisht, para deklarimit të të dëmtuarit janë dhënë fjalët hyrëse të palëve para trupit gjykues.
Prokurori ka thënë se gjatë administrimit të provave që janë propozuar si në aktakuzë do të argumentohet se i pandehuri me dashje dhe paramendim ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet. Kurse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Arianit Koci, ka thënë se nga provat është e qartë se i pandehuri ka dashur të vras të dëmtuarin Premtim Gojani dhe gruan e tij, Afërdita Gojani si dhe ka rrezikuar jetën e vajzës së tyre, Donika Gojani.
“Sa i përket qëllimit të të pandehurit që të tre sot do të kishin qenë të vdekur, fati ka dasht që sot Premtimi, Donika dhe Afërdita janë gjallë. Kur merren parasysh armët dhe mjetet që i ka pas në posedim i pandehuri, elektroshoku, pistoleta dhe bomba e dorës, numri i gjuajtjeve me armë të zjarrit në drejtim të të dëmtuarve, pastaj sharjet e fjalët e tij drejtuar te i dëmtuari Premtim “Hala je gjallë a”, të gjitha këto janë dëshmi e pakontestueshme për gjykatën se ai me dashje e vetëdije të plotë ka ardhur në lagjen e të dëmtuarit me qëllim që ta shuaj një familje”, ka thënë avokati Koci.
Avokati mbrojtës i të akuzuarit, Betim Shala deklaroi se do të arrihet të dëshmohet se i pandehuri Faton Fetiu, nuk ka ekzistuar vullneti dhe dashja, ashtu si pretendohet në aktakuzë për kryerjen e veprës penale.
“I pandehuri Faton Fetiu nuk ka pasur dashje që nga jeta të privon edhe të dëmtuarën Afërdita Gojani, por dashja e tij dhe veprimet e tij të ndërmarra kanë qenë kryekëput të orientuara vetëm për privimin nga jeta të Premtim Gojanit”, ka thënë ai.
Kurse, i akuzuari Faton Fetiu, ka deklaruar se e pranon veprimin që e ka bërë, por jo tërësisht si është përshkruar në dispozitiv të aktakuzës, pasi ai nuk ka dashur që të privojë nga jeta edhe gruan e të dëmtuarit dhe ta lëndojë vajzën e tyre.
Këtë lloj të pranimit të fajësisë, gjykata e ka mohuar.“Unë e kam pas qëllimin me ma pagu banesën e fundit, me bisedu vazhdimisht kam dasht me fol me ty, unë edhe kur i afrona thom a bon me bisedu. Nuk pe mohoj e kam gjujt Premtimin, ama s’muj me pranu për Donikën, vet e kam shty me dorë, kam pas kujdes për të”, ka deklaruar ai.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur më 10 maj, i akuzuari Fetiu ishte deklaruar i pafajshëm për vrasje të rëndë në tentativë, kurse kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 13 shkurt 2018, rreth orës 07:38, në rrugën “Montana” të lagjes “Marigona”, në Komunën e Graçanicës, i pandehuri Faton Fetiu, me dashje, nga hakmarrja e paskrupullt ka tentuar t’i privojë nga jeta Premtim e Afërdita Gojanin.
Aktakuza thotë se me dashje ka vënë në rrezik edhe jetën e një personi tjetër, Donika Gojanit. Sipas aktakuzës, e gjithë kjo për shkak të një borxhi të pretenduar nga i pandehuri, që gjoja ia kishte pasur tani i ndjeri Nazmi Gojani, babai i Premtim Gojanit.
Akti akuzues, thotë se derisa Premtim Gojani, së bashku me vajzën e tij, Donika Gojani, ishin duke dal nga shtëpia për të shkuar në punë, para tyre i pandehuri Faton Fetiu ka dal dhe nga xhepi ka nxjerrë një elektroshok për ta sulmuar Premtim Gojanin, por pastaj në mes të tyre ka ndërhyrë vajza e Gojanit, për ta mbrojtur babanë e saj.
Sipas aktit akuzues, i pandehuri ka nxjerrë revolen dhe ka shtënë në drejtim të Premtim Gojanit, të cilin e ka qëlluar në trup në anën e djathtë në brinjë, i njëjti ishte rrëzuar në tokë dhe vajza e tij Donika Gojani, për ta mbrojtur është shtrirë mbi trupin e tij dhe e ka përgjëruar të pandehurin që të mos qëllojë me armë.
Më pas, thuhet se ka dal nga dera e shtëpisë bashkëshortja e të dëmtuarit, Afërdita Gojani dhe ka thënë “Ndal, çka bëre o Faton”, kurse i pandehuri i është drejtuar duke i thënë “a ju kam thënë se kam me ju mbyt të gjithëve” dhe më pas ka shkrepur revolen dy herë në drejtim të Afërdita Gojanit, por nuk e ka qëlluar, e ka vazhduar duke u afruar te Premtim Gojani, e duke i thënë a je hala gjallë e duke e sharë, e më pas e ka goditur të njëjtin në anën e majtë nën sqetull afër zemrës, më pas në kokë.
Aktakuza, gjithashtu thotë se derisa e dëmtuara Donika Gojani, ka qenë e shtrirë mbi trupin e të dëmtuarit për ta mbrojtur, të njëjtën me predhën e fishekut të armës, i pandehuri e ka qëlluar në shpinën e dorës së majtë.
Aktakuza, tutje thotë se Premtim Gojanit i janë shkaktuar lëndime të rënda trupore, kurse vajzës së tij lëndime të lehta.Sipas aktakuzës, Fetiu ka mbajtur në pronësi një granatë dore, një detonator të granatës, një pistoletë me mbishkrimin “Berreta”, një elektroshok, si dhe gjashtë gëzhoja fisheku.