Tërmet në Turqi dhe Itali
Një tërmet me magnitudë 4.6 është regjistruar në orën 23:52 të mbrëmjes së djeshme në provincën e Campobasso-s në Itali.
Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, tërmeti ishte në një thellësi prej 23 km dhe një epiqendër afër Montaganos.
Në disa komuna janë raportuar çarje në mure. Në Campobasso skena paniku në rrugë, trafik në rritje, frikë e madhe, njerëz me pizhame. Parkingjet dhe vendet e pushimit u mbushën nga banorët të cilët me pizhame dhe me çanta dhe batanije të improvizuara vendosën të kalonin natën jashtë nga frika e kthimit në shtëpi. Disa kryetarë bashkie kanë vendosur të mbyllin shkollat për të mërkurën.
Sipas Mbrojtjes Civile për momentin nuk raportohet për dëme në njerëz apo sende, por ka shumë frikë tek banorët.
“Njerëzit janë larguar nga shtëpitë me pizhame, me nxitim, ka frikë të madhe edhe për shkak të problemit të rrëshqitjes së dheut të vitit 2017 që tashmë ka cenuar stabilitetin e pjesës së sipërme të vendit”, deklaroi kryebashkiaku i Civitacampomarano, në provincën e Campobasso, Paolo Manuele, gjatë një inspektimi.
Përveç Molise, tronditja është ndjerë edhe në disa zona fqinje të Campania-s, Puglia-s, Abruzzo-s dhe Lazio-s.
Ndërkohë një tjetër tërmet me magnitudë 3.5 ballë ka ndodhur në lagjen Buça të Izmirit. Në deklaratën e bërë nga AFAD mësohet se tërmeti ka ndodhur në orën 23:51 në një thellësi 9.23 kilometra.