16:33 / E Diele, 26 Janar 2020 / indeksADMonline

Tërmeti/Në Shqipëri më në fund del bilanci, por banorët ende janë rrugëve

Shqipëria ndodhet prej dy muajsh në ankth, pas tërmetit që goditi vendin. Që prej 26 nëntorit, qetësia për shqiptarët ka humbur, sidomos në tre qarqet e vendit, Durrës, Tiranë dhe Lezhë. 51 persona humbën jetën, ndërsa mbi 900 të tjerë u plagosën dhe morën trajtim shëndetësor në spitale.

Mëngjesin e së martës së 26 nëntorit, në orën 03.54 minuta, vendi u lëkund në mënyrë të tmerrshme nga një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter.

Tërmeti zgjati mbi 30 sekonda dhe tronditi Durrësin, Thumanën e Tiranën, tre zonat më të goditura, por u ndje thuajse në të gjithë Shqipërinë. Në Durrës dhe Thumanë shumë ndërtesa u kthyen në gërmadha, ndërsa 51 qytetarë u nxorën prej aty të pajetë.

Ekipet e kërkim-shpëtimit nga Kosova, Greqia dhe vendet e tjera të rajonit dhe Bashkimit Evropian u sensibilizuan menjëherë dhe zbarkuan në vendin tonë, duke gërmuar nën rrënoja për shpëtim jetësh, prej ku arritën të nxirrnin të gjallë 45 persona. Ky ishte tërmeti më i fuqishëm i dekadave të fundit në Shqipëri dhe që la pas më shumë viktima e shkatërrim.

Tashmë, dy muaj pas tërmetit, thuajse është bërë bilanci i dëmeve të shkaktuara, një pjesë e njerëzve janë kthyer në banesa, ose kanë marrë bonus qirake, por ka shumë të tjerë pa asnjë shpresë e që vijojnë të qëndrojnë në hotele

Qeveria pret konferencën e donatorëve, ndërsa Turqia që vetëm disa orë më parë u trondit nga një tërmet edhe më i fuqishëm ka planifikuar ndërtimin e 500 shtëpive.

Sipas informacioneve zyrtare nga bashkia e Durrësit -Aktualisht në hotele ndodhen 1231 persona(rreth 380 familje) nga 3000 persona që ishin të strehuar në dhjetor, por kjo shifër përditësohet vazhdimisht.

Në Bashkinë Durrës ka 589 familje që jetojnë në çadra, ose 2387 persona gjithsej. Sot të gjitha familjet jetojnë në çadra dimërore. -Deri më sot janë miratuar 40 leje të përshpejtuara për riparimin e objekteve si pasojë e tërmetit. Pas përfundimit të punimeve vetëm në këto 40 objekte do të rikthehen 1259 familje të prekura nga tërmeti. Por kërkesa kanë bërë edhe bzneset të cilat kanë pësuar dëme .  BAshkia ka miratuar 11 kërkesa për riparime leje objektesh shërbimi (4 hotele, objekte shërbimi të ndryshme, institucion QKF, call center).

Në lidhje me bonusin e qerasë, nga listat paraprake me 3863 emra, 2200 prej tyre kanë kaluar për likujdim në drejtorinë ekonomike. Ndërkaq vijon shqyrtimi i dokumentacionit për pjesën tjetër të këtyre listave. Ky është një proces i vazhdueshëm që përditësohet ndërkohë vijojnë aplikimet e reja. Bashkia I ka miratuar në Këshillin bashkiak listat për përfituesit e bonusit të qerasë , por qeveria nuk I ka miratuar ende fondet.