12:57 / E Shtunë, 06 Janar 2018

“Termocentralet dhe gurthyesit ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë”

Termocentralet dhe gurthyesit që operojnë duke mos respektuar kriteret mjedisore sipas ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë.

Në një intervistë, ministrja Reshitaj ka bërë të ditur se për 100 ditë të qeverisjes së saj në krye të kësaj ministrie ka arritur të identifikojë ndotësit kryesor të ajrit, por që ajo ka bërë të ditur se në gjendje jo të mirë janë edhe lumenjtë e Kosovës.

Po ashtu, sipas saj Kosova përballet edhe me një menaxhim jo të qëndrueshëm të mbeturinave.

“Sa i përket përmirësimit të cilësisë së ajrit, ne vetëm kemi përgatitur një raport vjetor për gjendjen e mjedisit, dhe në bazë të këtij raporti kemi bërë një plan të aktiviteteve për periudhën vjeshtë-dimër 2017-2018 ku i kemi ndarë aktivitetet tona si ministri në planin afatshkurtër emergjent, afatmesëm dhe afatgjatë. Në planin afatshkurtër ne vetëm kemi filluar të veprojmë duke përgatitur një grup ekspertësh që kanë punuar intensivisht në krijimin e një grupi identifikues të ndotësve në të gjitha vendet urbane të Kosovës dhe gjatë kësaj periudhe kemi arritur që t’ia ndërrojmë qymyrin apo thëngjillin disa shkollave, disa kopshteve të fëmijëve, duke i dhënë një alternativë drunjtë e konfiskuar. Kjo është bërë me qëllimin që ndikojmë në sensibilizim dhe vetëdijesim qytetarë për rëndësinë që ka që ne mos të përdorim thëngjillin në lëndë djegëse në ekonomi familjare dhe biznese të voglaâ � , tha Reshitaj

Ditë më parë Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje për fillimin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, e ndërtimi i këtij termocentrali sipas ministres do të ndikoj në uljen e ndotjes së ajrit.

Unë mendoj që do të ndikoj dukshëm në uljen e ndotjes së ajrit. Ne gjithashtu si ministri bëjmë monitorimin dhe kontrollimin e nivelit të ndotjes së ajrit në gjithë Kosovën, sidomos tek ndotësit më të mëdhenj, në këtë rast që janë termocentralet. Jam e lumtur që do të ndërtohet një termocentral me standarde evropiane. Gjithashtu meqë jam pjesë e komisionit qeveritar për ndërtimin e termocentralit unë kam lobuar gjatë gjithë fazave të përgatitjes për të nënshkruar kontratën që ne të ndërtojmë një termocentral të ri me standarde evropiane sa i përket kualitetit të filtrave që do t’i ngjiten dhe kam kërkuar që këta filtra të jenë me standardet e fundit teknologjike”, tha ministrja Reshitaj.

Një nga problemet në Kosovë, sipas ministres është edhe numri i madh i ndërtimeve pa leje, ndërsa tha se në  100 ditshin e saj në krye të kësaj Ministrie kanë arritur që ta procedojnë në Qeveri draft ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

“Një ligj i cili kishte qëndruar gjatë në sirtar dhe nuk ishte proceduar në Qeveri. E kemi marrë me shumë seriozitet….ky është proceduar në Kuvend dhe komisionin parlamentar dhe është aprovuar në lexim të parë dhe pritet të aprovohet në lexim të dytë nga Kuvendi. Besoj se kjo çështje do të ndikoj jashtëzakonisht në zgjidhjen e shumë problematikave sa i përket ndërtimeve pa leje. Janë diku rreth 350 mijë ndërtime pa leje në gjithë Kosovën. Prandaj mendoj që puna që kemi bërë gjatë këtij njëqind ditshi është për t’u vlerësuar”, tha ministrja.

Ministrja Reshitaj, ka bërë të ditura prioritetet e saj në krye të kësaj ministrie.

Përmirësimi, menaxhimi dhe monitorimi i gjendjes së mjedisit dhe ajrit, menaxhimi i mbeturinave, rehabilitimi i shtretërve në Kosovë, monitorimi i zonave të mbrojtura me ligj, pastaj, një monitorim dhe kujdes i veçantë i biodiversitetit. Pastaj, fuqizimi i planifikimit hapësinor, ndërtimit, banimit, administrimit të tokës dhe zhvillimit të kadastrit, kontrolli për ndalimin e ndërhyrjeve në zonën e veçantë të mbrojtura.

Ministrja Reshitaj ka thënë se nevojitet edhe një vetëdijesim më i madh i qytetarëve për të bërë përmirësimin e gjendjes së ambientit në Kosovë, ndërsa ka thënë se gjatë vitit 2018 do të ketë shumë aktivitete dhe projekte të cilat sipas saj do të ndikojnë në vetëdijesim të qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit./Indeksonline/kp/