08:20 / E Premte, 15 Qershor 2018 / indeksADMonline

Tërnava: Festat të jenë shkas për angazhim në interes të vendit

Pas 30 ditë të agjërimit, besimtarët myslimanë sot festojnë Fitër Bajramin. Si në gjithë botën, edhe në Kosovë ceremonia e festimit të kësaj feste myslimane nisi me faljen e namazit të mëngjesit.

Manifestimi kryesor është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku është mbajtur ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, ndërsa, pas saj, namazi i Bajramit, të cilit i priu sekretari i përgjithshëm i BIK-ut, Resul Rexhepi.

Kurse, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, duke iu drejtuar opinionit të gjerë me mesazh për këtë festë, tha se festa është për të na kujtuar rolin tonë karshi njëri-tjetrin dhe për dëftuar rrugën drejt përsosmërisë humane.

“Ne falemi jo nga pamundësia por nga kultura e Ramazanit, ne i mbajmë lidhjet me të tjerët jo për ndonjë interes material por për nga kultura e Ramazanit“, tha Tërnava.

Tërnava tha se sot kujtohen prijësit shquar të Lidhjes së Prizrenit, të cilët në rrethana të jashtëzakonshme, arritën të organizojnë mbajtjen e kuvendit të Lidhjes, për t’iu bërë me dije se shqiptarët nuk do të pranojnë marrëveshje të kujtdo qofshin ato që qojnë në copëtimin e trojeve shqiptare.

“Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit  është themel mbi të cilën është ngritur kombi, mbi të cilën janë ngritur shtetet tona, mbi të cilin është ngritur motivi për pavarësi, sovranitet dhe dinjitet. Mbajtja e saj në xhami, organizimi i saj nga prijës fetar flasin për lidhjen në mes fes dhe vatanit, vërtetojnë kontributin historik të hoxhallarëve në ruajtjen e kombit“, tha ai.

Ai i bëri thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve që të marrin shkas festat tona fetare dhe kombëtare për t’u angazhuar për interesin shoqëror të vendit.

“Duke lutur Zotin që ta bëjë këtë festë gëzim për ju dhe familjet e juaja, ju thërras të gjithëve, popull dhe institucione, që të marrin shkas festat tona fetare dhe kombëtare për t’u angazhuar për interesin shoqëror të vendit, për të mirën e përbashkët, duke shfrytëzuar momente sikur këto, bashkimi drejt qëllimeve fisnike bëhet më i lehtë dhe më i fort. Kështu mund të marshojmë drejt qëllimeve tona shoqërore dhe shtetërore. Zotin na e pastë pranuar agjërimin dhe adhurimet tona, edhe një herë urime festa e Fitër Bajramit“, tha Tërnava.

Në këtë manifestim u dha mesazhi që të gjithë besimtarët të jenë të mirë e të mëshirshëm edhe në muajt tjerë siç ishin në muajin e ramazanit, duke u distancuar nga rrugët e liga.

Temat: