13:40 / E Hënë, 28 Maj 2018 / indeksADMonline

Testi i maturës, maturantët thonë se pyetjet nuk ishin të vështira

Rreth 7 mijë e 700 maturantë të regjionit të Ferizajt dhe Gjilanit i janë nënshtruar provimit shtetëror të maturës, ku sot është mbajtur pjesa e parë e testit të afatit të parë.

Maturantët në këtë pjesë të testit kanë pasur pyetje nga gjuha shqipe, gjuha angleze dhe matematika. Në gjimnazin natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, testit të maturës iu ka nënshtruar nxënësi Endrit Ahmeti, i cili me të përfunduar testin  deklaroi se testi nuk kishte qenë shumë i vështirë.

“Mirë, testi mirë u kanë. Kemi pasur pak frikë, stres si gjithmonë po u kanë mirë…Pyetjet më shumë kanë qenë logjike, na kanë treguar edhe më herët në broshurat që na i kanë dhënë. Por, prapë se prapë u kanë më shumë me dije”, tha ai.

Edhe nxënësja Albina Azemi, thotë se nuk ka pasur ndonjë problem gjatë testit, ndërsa edhe pyetjet e testit për të kanë qenë të arsyeshme.

“Shumë mirë, nuk ka pasur ndonjë problem dhe po mendoj se kemi me pas sukses… Pyetjet kanë qenë normal jo edhe shumë të vështira, por po ma merr mendja pasi edhe jemi gjimnazi natyror nuk e kemi problem edhe ato pyetje”, tha ajo.

Për të parë nga afër procesin e testimit në këto dy regjione ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka vizituar dy shkolla në këto dy regjione.

Së pari, kreu i Arsimit ka vizituar Gjimnazin “Kuvendi i Arbrit” në Ferizaj, për të vazhduar në gjimnazin “Xhavit Ahmeti” në Gjilan. Bytyqi duke uruar nxënësit që të arrijnë rezultate sa më të mira, është shprehur se pret që nga ky testim të dalin rezultate reale.

“Gjërat po shkojnë mirë ashtu siç edhe kemi planifikuar që të jetë një mirëmbajtje e mirë dhe një menaxhim i mirë i testit. Shpresoj që rezultatet do të jenë ato reale, të cilat janë dhe kjo na jep të kuptojmë që kur ne bashkëpunojmë me nivelin lokal si në Ferizaj dhe këtu në Gjilan gjithsesi gjërat lëvizin për së mbari dhe menaxhimi është shumë më i thjeshtë”, tha ai.

Bytyqi ka deklaruar se synim i MASHT-it është që këtë herë testi i maturës të del i suksesshëm.

Në vizitën në gjimnazin “Kuvendi i Arbrit” ishte edhe kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, i cili tha se pret që nxënësit e komunës që ai drejton të dalin sa më mirë në këtë testin. Ndërsa, u shpreh se nuk do të ndalen së punuari deri tek arritja e një arsimi cilësor.

“E pamë që është duke u zhvilluar shumë qetë, në kushte shumë të mira me nja komoditet pune për nxënësit dhe urojmë që nxënësit dhe profesorët, respektivisht menaxhuesit e procesit ashtu siç e kanë nisur edhe e përfundojnë procesin e mbajtjes së testit. Urojmë që nxënësit të kenë sukses sot në Ferizaj praktikisht janë futur në test në 9 njësi të administrimit të testit të maturës 2 mijë e 375 nxënës dhe urojmë që të kenë suksesin e duhur. Ajo që ne si komunë është sot do të jetë edhe nesër angazhim është që të krijojmë kushte dhe mundësi në mënyrë që të bëjmë atë që më në fund duhet të bëhet. Pra, të përmirësohet cilësia në arsim”, tha Aliu.

Rezultate të mira për nxënësit gjilanas pret edhe kreu i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka potencuar se në dy vitet e fundit si komunë kanë qenë me mesataren më të mirë në testimin shtetëror të maturës.

“I kemi ndërmarrë të gjitha veprimet organizative dhe logjistike në mbarëvajtjen e këtij procesi, i cili ka filluar jashtëzakonisht mirë. Deri tash nuk e kemi asnjë incident më të voglin, incident po e quaj kopje eventualisht, apo fotografi të testit që ka dalë jashtë klasave, jashtë shkollave që tregon për një menaxhim jashtëzakonisht të mirë. Në dy vitet e fundit jemi komuna me mesataren më të mirë në testin e maturës. Ne shpresojmë me e ruajt këtë kulturë pune dhe këtë nivel vlerësimi, sepse për ne interesi i vetëm është vlerësimi real”, tha ai.

Testi i maturës do të jetë i ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e dytë pyetjet do të jenë varësisht nga profili i shkollimit të nxënësve. Regjioni i Ferizajt dhe Gjilanit ju kanë nënshtruar së pari këtij testimi, ndërsa pjesën e dytë të testit ky regjion do ta ketë më 5 qershor.

Nesër testimit do t’i nënshtrohen maturantët e regjionit të Prishtinës, më 30 maj ata të regjionit të Prizrenit dhe Gjakovës, ndërsa më 31 maj regjioni i Pejës dhe Mitrovicës. Provimit të maturës shtetërore do t’i nënshtrohen 29 mijë e 816 nxënës në të gjithë Kosovën.