11:43 / E Shtunë, 26 Maj 2018 / indeksADMonline

Testi i Maturës me risi – Komisioni shtetëror deklarohet për përgatitjet

Komisioni Shtetëror i Maturës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e testit të maturës, ku këtu hyjnë edhe përpilimi i pyetjeve dhe lidhja e kontratave me administratorët e testit.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Fehmi Hysenaj ka thënë se këtë herë risi është edhe dizajni i testeve, i cili do të jenë me ngjyra.

Këtë vit testi i maturës do të mbahet në katër regjione, në katër ditë të ndryshme, ku pyetjet e testit nuk do të jenë të njëjta, por do të jenë ekuivalente për nga vlera.

Për të shmangur çdo formë të kopjimit gjatë testit të maturës, komisioni ka marrë vendim që pë për nxënësit dhe për administruesit e testit të ndalohet posedimi i telefonit gjatë ditës kur do të mbahet testi.

Në rast se gjatë ditës së testit, nxënësit apo administratorët do të zihen me telefon apo duke tentuar të manipulojnë do të ketë ndëshkime.

MAShT me të gjithë administratorët ka bërë kontrata përmes të cilave iu ka bërë e qartë atyre se nëse do të keqpërdorin detyrën do të humbin të drejtën për administrim të çfarë do llojë testi në të ardhmen.

Ndërsa, sa i përket asaj që testi do të mbahet me regjione, kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, thotë se kjo është bërë me qëllimin që të arrihen rezultate sa më reale dhe të ketë një administrim sa më të mirë të provimit.

Hysenaj bëri të ditur se për administrimin e testit MAShT ka angazhuar 2 mijë e 15 administrator, ndërsa do të ketë edhe organizata të tjera që iu është lejuar të marrin pjesë në administrimin e testit.

Sipas tij, edhe numri i nxënësve nëpër klasa gjatë mbajtjes së provimit do të jetë i kufizuar, ku në një klasë nuk mund të jenë më shumë se 15 nxënës.

Këtë vit, MAShT ka marrë vendim që nxënësit të mos paguajnë shumën prej 5 eurove për t’iu nënshtruar testit të maturës, e kjo mos pagesë nga nxënësit sipas Hysenajt nuk ka ndikuar në organizimin e testit.

Për më tepër, ai e quan lajm të mirë largimin e asaj pagese, ndërsa bëri të ditur se kanë gjetur formën e pagesës për administratorët.

Provimi i maturës shtetërore do të ketë 200 pyetje, ku kalueshmëria e këtij testi është 40 përqind dhe për secilin regjion pyetjet do të jenë të ndryshme.

Sikurse çdo vit edhe këtë herë testi do të jetë i ndarë në dy ditë, ku në ditën e parë testi do të jetë nga lëndët e përgjithshme gjuhë shqipe, matematikë dhe gjuhë angleze, ndërsa ditën e dytë do të kenë pyetje varësisht nga profili i shkollimit të tyre.

Provimit të maturës shtetërore së pari do t’i nënshtrohet regjioni i Ferizajt dhe Gjilanit, ku në këtë regjion testi i parë do të mbahet më 28 maj, ndërsa testi i dytë më 5 qershor, shkruan kp.

Vetëm një ditë më pas më 29 maj provimit të parë të maturës do t’i nënshtrohet regjioni i Prishtinës, ndërsa, testin e dytë do ta mbajë më 6 qershor. Më 30 maj testin e parë, ndërsa më 7 qershor testin e dytë do ta mbajë regjioni i Prizrenit dhe Gjakovës.