13:22 / E Diele, 25 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Testi PISA, greva dhe rezultatet, flasin analistët

Në fund të muajit prill, pritet që nxënësit e shkollave të mesme t’i nënshtrohen Testit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA). Në testin e fundit, nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës u ranguan në vendin e tretë nga fundi.

Pas këtij rezultati aspak të kënaqshëm, pritej që këtë vit të ketë më shumë angazhim nga nxënësit, mësimdhënësit dhe vet institucionet shtetërore.

Por mësimdhënësit kanë disa javë që po paralajmërojnë greva,  madje disa të tilla janë  mbajtur për disa orë në të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës.

Punëtorët e Arsimit kanë disa kërkesa drejtuar institucioneve shtetërore, duke filluar me ligjin për njohjen e statusit të arsimit shqip të Kosovës gjatë viteve të 90-ta dhe funksionalizimi e Ligjit mbi sigurimet shëndetësore.

Sipas një prononcimi të Kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharit për Indeksonline,  u theksua se greva është mënyra e vetme që u ka mbetur për realizimin e kërkesave të tyre. Por ai nuk e ka mohuar se një gjendje e tillë mund të ndikoj në rezultatet e testit PISA.

“Testi PISA dhe për shkollat në përgjithësi duhet të mendoj Ministria e Arsimit dhe Qeveria, nëse kërkesat tona janë të realizueshme. Madje ne po bëjmë edhe presione me greva për aprovimin e ligjit për statutin e punëtorëve të arsimit, të cilin na e kanë premtuar para disa viteve madje na kanë premtuar edhe vitin e kaluar që do të shkoj në Parlament kështu që nuk kemi pas zgjidhje tjera” tha Jashari.

Por ky i fundit ka nënvizuar se përgjithësinë për mos suksesin në testin PISA, duhet ta marrë Ministria e Arsimit dhe Qeveria.

“Ministria dhe Qeveria duhet ta dinë që është normale kur procesi mësimor nuk zhvillohet si duhet dhe ka greva ai ndikon, por ata duhen të kenë këtë kujdes dhe të nguten pak dhe të realizojnë kërkesat tona sa më shpejt aq më mirë, sepse në të kundërtën ne nuk kemi zgjidhje tjetër.” ka thënë Jashari, i cili ka paralajmëruar se shumë shpejt do të merret vendimi nëse do të mbahen edhe greva më të gjata se deri më tash.

Por , ndryshe mendon drejtori i Qendrës për Arsimin e Kosovës (KEC), Dukagjin Pupovci.

I kontaktuar nga Indeksonline, ai ka theksuar se rezultatet e këtij testi nuk mund të ndikohen nga përgatitje që merren dy ose tre muaj para mbajtjes së testit.

“Rezultati i testit PISA reflekton gjendjen në sistemin e arsimit të një vendi dhe nuk mund të ndikohet nga përgatitje të veçanta që ndërmerren dy ose tre muaj para mbajtjes së testit. Pra, nxënësit nuk kanë nevojë për asnjë lloj përgatitje për test, përveç përgatitjes psikologjike për të dhënë maksimumin e vet gjatë testit” ka thënë Popovci.

Ky i fundit, ka shtuar se grevat nuk ndikojnë në rezultatet e testit por këto rezultate varen më tepër nga puna e mësimdhënësve dhe i prindërve me fëmijët.

“Nuk besoj se një grevë 2-orëshe, 2-ditëshe ose 2-javëshe mund të ndikojë në rezultatin e testit PISA. Shumë më tepër ndikon angazhimi i vazhdueshëm i mësimdhënësve dhe i prindërve në punën e drejtëpërdrejtë me fëmijë dhe përcjelljen e progresit të tyre.” ka shtuar Popovci.

Anëtarja e komisionit për Arsim, Teuta Haxhiu nuk ka pranuar të flas se a do të ndikojnë këto greva në rezultatet e testit PISA, por i ka vlerësuar të drejta kërkesat e SBASHK-ut.

“Sa i përket grevës është vendim i sindikatës por mendimin tim personal po e jap. Kërkesat për ligjin për punëtorët e viteve të 90-ta  mendoj se janë plotësisht të arsyeshme, vazhdimisht për çdo mandat e kam ngrit këtë çështje dhe është një ligj që është vonuar për tu sjell në Kuvend.” ka përfunduar Haxhiu.

Ndryshe, edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në takimin me kryetarët e Komunave ka kërkuara nga ta që të mobilizohen në mënyrë që testi PISA këtë vit të dal i suksesshëm./Indeksonline/R.Ç/