11:47 / E Martë, 03 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Testohet sistemi, që parashikon tërmetet, u ndërtua nga izraelitët

Një sistem që mund të parashikojë tërmetet, të paktën 4 orë para se ato të regjistrohen, do të testohet në Universitetin Politeknik të Bukureshtit. Sistemi do të jetë në gjendje të zbulojë nivelin, intensitetin dhe epiqendrën e përafërt të tërmetit dhe do të testohet në rajonin e Vrançës, bën të ditur Mediafax.

I ndërtuar nga kompania izraelite “Ionoterra”, ai është ende në fazën konceptuale, pas testimeve fillestare të zhvilluara në Turqi dhe në Greqi, me përqindje të lartë suksesi. Në fazën e ardhshme sistemi do të testohen në rajonin rumun të Vrançës, një prej zonave sizmike më aktive të Evropës. Sipas rektorit të Universitetit Politeknik ai do të nisë punën në gjysmën e parë të vitit 2020, kur do të fillojë t’u sigurojë autoriteteve informacione mbi tërmetet për të treguar se si funksionon sistemi në praktikë.

Rektori thotë se prova do të realizohet edhe në Kaliforni. “Sipas llogaritjeve të bëra nga Universiteti Politeknik, jemi të bindur se mund të kemi informacione ekstremisht të besueshme minimalisht 4 orë para. E përsëris, minimalisht 4 orë, pasi maksimumi mund të jetë edhe më tepër”, tha Minea Costoiu, rektor i Universitetit Politeknik të Rumanisë.

Kompania izraelite “Ionoterra”, e cila ndërtoi sistemin dhe e prezantoi atë zyrtarisht në Rumani të premten, pretendon se paralajmërimet për tërmet mund të lëshohen 8 orë para se ai të ndodhë. Testet paraprake u zhvilluan në Greqinë lindore dhe Truqinë perëndimore, duke përdorur një sistem minimal parashikimi, dhe me një nivel suksesi prej 90%. Nga 75 paralajmërime për tërmet që u lëshuan, 68 u konfirmuan nga Qendra Sizmologjike Mesdhetare Europiane me një magnitudë mesatare prej 2,58 i shkallës Rihter. Duke konsideruar këto rezultate, “Ionoterra” vlerëson një saktësi prej mbi 97% parashikime, duke përdorur sistemin e plotë të monitorimit për tërmete mbi 4,5 të shkallës Rihter.