17:07 / E Premte, 29 Maj 2020 / indeksADMonline

Thaçi befasohet me vizitën e Sveçlës: Hera e parë që nga viti 2010 që një ministër i Brendshëm viziton KEK-un

Pak më parë IndeksOnline ka raportuar se Ministri Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka vizituar objektin e KEK-ut që ndodhet tek sheshi “Zahir Pajaziti”. E në lidhje me këtë ka reaguar edhe drejtori i shkarkuar i KEK-ut, Njazi Thaçi.

I pyetur nga IndeksOnline se si e vlerëson një vizitë të tillë nga Sveçla në KEK, kur veprimtaria e tij nuk lidhet fare me këtë kompani,  ka thënë se kjo është hera e parë që një ministër i Brendshëm, viziton KEK-un që kur ai është pjesë e tij.

“E lexova që ka qenë, por nuk e di arsyen pse ka qenë. Sa kam qenë unë drejtor , por edhe  sa kam qenë edhe drejtor operativ, prej një kohë prej 2010, nuk e di që ka ardhur ndonjëherë ndonjë ministër i Punëve të Brendshme që me vizitu objektin në Toskan”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe përmes një  komunikate për medie, Korporata Energjetike e Kosovës është munduar ta arsyetoj takimin me u.d. Ministri në detyrë i MPBAP, Xhelal Sveçla.

Sipas tyre, u.d. Kryeshefi Ekzekutiv, Luigj Imeri me bashkëpunëtorë ka pritur në takim u.d. ministrin në detyrë të MPBAP-së z. Xhelal Sveçla. “z. Imeri ka njoftuar z. Sveçla me gjendjen aktuale në korporatë e me theks të veçantë për zhvillimet e fundit dhe masat e ndërmarra nga KEK sh.a. në këtë kohë pandemie. Në këtë drejtim, z. Imeri ka falënderuar z. Sveçla për përkrahjen e vazhdueshme të policisë për sa i përket lëvizjes së lirë të punëtorëve të KEK-ut”, thuhet në njoftim.